×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti “i painformuar”, thotë se Petrit Dula po mbahet në burgjet e Serbisë, e ai është liruar në prill të 2023

    Reporteri
    10 Janar 2024 | 11:10

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e parë të Qeverisë për këtë vit, ka folur edhe për ndalimin dhe arrestimin në kufi me Serbinë të Hasan Dakajt javën e kaluar, ku siç tha ai po mbahet në mënyrë të padrejtë, shkruan Reporteri.net.

    Këtu i pari i Qeverisë tha se edhe dy qytetarë të Kosovës, Nezir Mehmetaj dhe Petrit Dula po mbahen në burgjet e Serbisë.

    Por, në fakt ky i fundit është liruar në prillin e vitit të kaluar.

    “Javën e kaluar dy shtetas të Kosovës u ndaluan dhe arrestuan në kufi me Serbinë. Hasan Dakaj vazhdon të mbahet atje në mënyrë të padrejtë dhe arbitrare. Kjo nuk është hera e parë, por një sjellje e qëllimshme dashakeqe e Serbisë që bie ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Serbia vazhdon të mbajë në paraburgim edhe dy qytetarë tjerë tanë, për gjoja kryerjen e krimeve gjatë luftës në Kosovës, Nezir Mehmetaj dhe Petrit Dula. Mehmetaj ka qëndruar me muaj të tërë në paraburgim pa aktakuzë, në kundërshtim edhe me vetë ligjet e Serbisë. Dulaj vuan burgimin përkundër që dëshmitari e mohoi se ai e ka kryer veprën. Ministrja e Drejtësisë ka kërkuar ekstradimin e të dyve nga Serbia. Përgjigje s’kemi pranuar kurrë”, tha Kurti.

    Dula i cili po mbahej në burg në Serbi që nga qershori i vitit 2022, muaj më parë në një intervistë për Dukagjinin kishte deklaruar se është liruar më 7 prill të vitit 2023.

    “Në burgjet e Serbisë pati edhe shqiptarë të tjerë. Isha me Nezir Mehmetajn në një dhomë 4 muaj. Çka të them? Po bëhen 40 muaj që është aty, tash është duke shkuar nga pleqëria, telefoni nuk të lejohet, vizitat janë më të rralluara. Problemet i ka më të rënda duke e pasur parasysh që nuk është duke i ardhur një pjesëtar i minoriteteve në gjykim. Ky është problemi i tij më i madh”, kishte thënë Dula.

    Mirëpo, këtë “huqje” të Kryeministrit Kurti, e ka arsyetur Ministrja Albulena Haxhiu, e cila tha se “në fjalën që i është përgatitur, edhe Petrit Dula edhe Nezir Mehmetaj janë futur në të njëjtin paragraf”.

    “Menjëherë pas mbledhjes së Qeverisë u konsultuam bashkë me kryeministrin për rastin e Petrit Dulës dhe Nezir Mehmetajt. Mehmetaj po mbahet ende në burgjet në Serbi, ndërsa sa i përket Dulës kryeministri më theksoi se i njëjti është liruar, ndërsa në fjalën që i është përgatitur edhe Petrit Dula edhe Nezir Mehmetaj janë futur në të njëjtin paragraf. Më lejoni ta sqaroj. Ideja ka qenë që të flasim për trajtimin mizor, po ashtu padrejtësitë që Serbia vazhdon t’i bëjë ndaj qytetarëve tanë duke i mbajtur ata në paraburgim pa asnjë fakt e asnjë provë. Siç e dini Mehmetaj mbahet ende në paraburgim, ndërsa Petrit Dula është dënuar pa asnjë fakt dhe asnjë provë për dy vite nga Gjykata atje. Edhe një herë ta sqaroj që në transkriptin zyrtar të mbledhjes së Qeverisë këto do të jenë të harmonizuara dhe të sakta”, tha ministrja Haxhiu në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!