Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është takuar sot me Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Tomas Szunyog.
Në njoftimin e VV-së thuhet se gjatë takimit u diskutua situata aktuale politike në Kosovë, dhe çështja e zgjedhjes së presidentit.
Kurti ka theksuar se është tejet e rëndësishme që presidenti i ri të zgjedhet pas zgjedhjeve të reja.
“Kryetari Kurti theksoi se është tejet e rëndësishme që presidenti i ri të zgjedhet pasi që të kenë folur qytetarët në një proces të ri demokratik zgjedhor. Kjo për arsye se qeveria e tanishme nuk ka legjitimitet dhe Kuvendi i Kosovës është bërë jofunksional. Kur nuk kemi keqqeverisje është mosqeverisje. Kjo qeveri nuk është në gjendje ta drejtojë vendin drejt zhvillimit ekonomik dhe integrimit në BE. Uniteti i korpusit politik vjen pas zgjedhjes së një qeverie me legjitimitet qytetar. Njëherë legjitimitet, pastaj unitet”, citohet të ketë thënë Kurti.
Në anën tjetër, ambasadori Szunyog nënvizoi rëndësinë e funksionimit demokratik të institucioneve, një Kuvendi të aftë për të miratuar ligje, nevojën e vazhdimit të dialogut me Serbinë, dhe nevojën për avancimin dhe zbatimin e agjendës së MSA-së.
Të dyja palët u pajtuan se është e nevojshme dhe e dobishme që të vazhdojnë komunikimin dhe bashkëpunimin.