×
  • Lajme
  • Lajme / Deklarata

    Kurti insiston që të intervistohet në zyrën e tij: Po të ishte Prokuroria e interesuar kaq shumë, do të vinin në Kryeministri

    Reporteri
    04 Mars 2025 | 10:49

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për shpërfilljen ndaj Prokurorisë Speciale për intervistim si dëshmitar në skandalin me rezervat shtetëtore, ka thënë nga Gjilani se ai s’ka refuzuar asnjëherë të jap dëshminë e tij, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    I pyetur nga Gazeta Online Reporteri.net se “a është kaq e parëndësishme Prokuroria”, Kurti tha se jo vetëm që ka qenë i gatshëm por edhe i interesuar të dëshmojë në Prokurori, ndërsa përmendi edhe oraret që i pati caktuar prokurorëve se kur mund të shkonin në zyren e tij për t’a intervistuar.

    Ai tha se edhe në të kaluarën ka ndodhur kur prokurorët apo hetuesit kanë shkuar në zyre të kryeministrave për t’i intervistuar.

    “Së pari unë asnjëherë nuk kam thënë që nuk do të jap dëshmi apo se refuzoj të japë dëshmi, përkundrazi kam thënë jo vetëm i gatshëm, por edhe i interesuar që të dëshmojë. Në anën tjetër kam shkruar letrën në të cilën kam treguar edhe oraret se kur mund të bëhet dëshmia. Unë i mirëpres Prokurorinë në zyren e Kryeministrit, ka pasur raste edhe në të kaluarën, kur prokurorët dhe hetuesit kanë ardhur për kryeministra, jo vetëm si dëshmitarë por edhe si të pandehur. Prandaj nuk ka arsye që kjo të mos vazhdohet. pra, qysh në muajin dhjetor ka qenë e mundur që të kryhet ky intervistim, dhe të jepet dëshmia nga ana ime”, tha Kryeministri para gazetarëve.

    Ai tha se po të ishte Prokuroria e interesuar aq shumë, do të shkonte në zyren e tij të merrte dëshminë, por që siç tha ai s’janë të interesuar për të sjellë drejtësi, ndërsa shtoi sërish se vazhdon të jetë i gatshëm për intervistim.

    “Nëse Prokuroria e ka pasur të rëndësishme dëshminë time ajo do të vinte tek ne. Një Prokuror që e ka synim dëshminë e dëshmitarit, ai nuk humb kohë. Pse i humbi prokruroria tre muaj? Për boindjen time të fuqishme, pasi është e interesuar të mbush ballinat e ndonjë portali të oligarkut sesa të sjell drejtësi”

    “Kurrë Prokuroria ska qenë më e lirë, lirinë po e keqpërdor për ta lufutar qeverinë dhe kjo krimin e korrupsionin. Unë jam i gatshëm dhe kam qenë gjithmonë i interesuar”, tha Kurti para gazetarëve në Gjilan, ku mori pjesë në vendosjen e një gurëthemeli të një çerdheje.

    Të premten e 28 shkurtit, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi konfirmoi për Gazetën Online Reporteri.net se Kryeministri Kurti do të intervistohet në cilësinë e dëshmitarit, lidhur me skandalin e Rezervës Shtetërore më 4 mars.

    “Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, me Urdhër të gjykatës të datës 21.02.2025 ka obliguar dëshmitarin A.K. që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me datë 04.03.2025 në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës”, ka thënë Gashi për Reporteri.net.

    Në anën tjetër, Zyra e Kryeministrit, ka kërkuar nga Gjykata që të obligojë Prokurorinë Speciale të marrë dëshminë e kërkuar, brenda Zyrës së Kryeministrit, duke thënë se duhet të merret parasysh “agjenda e tij është e ngjeshur”.

    Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu në përgjigjen e publikuar në Facebook javën e kaluar, thuhet se “Kurti ka qenë dhe mbetet i gatshëm të japë dëshminë e tij”. ZKM tutje ka thënë se ka dyshime të forta se kjo thirrje ka motiv politik, e jo ligjor.

    Qeveria e Kosovës pranoi ftesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për intervistim të Kurtit më 12 dhjetor. Kryeziu e cilësoi si tentim ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve 2025.

    Në thirrjen e Prokurorisë Speciale thuhej se Kryeministri Kurti duhet të paraqitet për intervistim të hënën e 16 dhjetorit në ora 09:30. Mirëpo, ai nuk u paraqit për intervistim. Madje ka kërkuar nga Prokuroria që ta intervistojë në zyrën e tij, e kishte ofruar edhe dy data për këtë.

    Kurti, i ftuar në cilësinë e dëshmitarit, ishte ftuar të intervistohet edhe sot për skandalin me Rezervat Shtetërore dhe  vepra penale për të cilën është ftuar hynë tek ato të korrupsionit zyrtar, saktësisht Neni 414 “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    /Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!