Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se institucionet janë angazhuar maksimalisht që ish-polici Arbnor Spahiu të lirohet sa më parë, që prej momentit të arrestimit të tij para dy ditësh në pikën kufitare Hungari-Serbi, shkruan Reporteri.net.
Ai ka thënë se nuk do të pranojnë që të normalizohet kjo sjellje e Serbisë karashi qytetarëve të Kosovës.
“Prej momentit të arrestimit të shtetasit tonë, Arbnor Fatmir Spahiu, nga autoritetet serbe në pikën kufitare Hungari-Serbi, institucionet tona janë angazhuar maksimalisht që ai të lirohet sa më parë. Sjellja jonormale e Serbisë ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës, nuk duhet dhe nuk do të pranojmë të normalizohet”, ka shkruar Kurti, teksa ka shpërndarë reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
MPJD ka thënë se Republika e Kosovës do të vazhdojë të shfrytëzojë të gjitha kanalet diplomatike në dispozicion për të siguruar që Spahiu të lirohet sa më pare.
Ministria thotë se përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, ka njoftuar për rastin misionet diplomatike te vendeve te Quint-it të akredituara në Beograd, dhe të gjithë Trupin diplomatik në Kosovë.
“Në mënyrë të veçantë, po mbahet komunikim i rregullt me Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë, duke marrë parasysh se z. Spahiu ka qëndrim të rregullt në Gjermani”, thuhet në reagim.
Tutje thuhet se Ambasadori Jashari, bashkë me avokatin e angazhuar nga familjarët e Spahiut, Arianit Koci, do të udhëtojnë nesër, më 11 qershor, në Suboticë, ku do të takohen me avokatin e dytë të caktuar sipas detyrës zyrtare.
Përveç kësaj, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka dorëzuar menjëherë kërkesë zyrtare për lejimin e vizitës së Ambasadorit Jetish Jashari tek Spahiu në Qendrën e Paraburgimit në Suboticë.
Vizita pritet të realizohet në ditët në vijim, sapo të miratohet nga autoritetet përkatëse.
Sipas deklarimeve të familjarëve dhe avokatit mbrojtës, akuzat e ngritura ndaj Spahiut kanë të bëjnë me rastin e Banjskës.
“Ata i konsiderojnë këto akuza tërësisht të pabazuara dhe të fabrikuara, duke theksuar se z. Spahiu ka përfunduar shërbimin në Policinë e Kosovës që nga viti 2022 dhe prej asaj kohe jeton në Gjermani së bashku me familjen e tij”, thuhet në reagim.
Presidenca ka thënë se edhe Presidentja Vjosa Osmani ka qenë në kontakt me shtetet e QUINT’it dhe Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Këshilltari i Presidentes, Bekim Kupina, ka deklaruar për Reporteri.net se angazhimi i Presidentes do të vazhdojë. Ai ka bërë me dije se Osmani ka kontaktuar menjëherë edhe me Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi.
“Presidentja Osmani, sapo është njoftuar për rastin, ka kontaktuar menjëherë me Zyrën Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi dhe ka qenë poashtu në kontakt me shtetet e Quint-it dhe Zyrën e BE-së. Angazhimi i Presidentes do të vazhdojë”, ka thënë Kupina.
Bashkëshortja e Spahiut, Arieta Spahiu publikisht i ka kërkuar presidentes së Kosovës Vjosa Osmani dhe institucioneve të vendit që të reagojnë për arrestimin e tij i cili po akuzohet nga Serbia për “vrasje të rëndë” në Banjskë./Reporteri.net