×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti javën tjetër udhëton për në Bruksel, s’ka takim me Vuçiqin

    Reporteri
    21 Prill 2021 | 12:45

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti javën e ardhshme do të udhëtojë për një vizitë zyrtare në Bruksel.


    Nga Qeveria e Kosovës kanë konfirmuar për Gazetën Online “Reporteri.net” se Kurti do të takohet me përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian.

    Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka bërë të ditur se gjatë vizitës në Bruksel, Kurti nuk do të ketë takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, i cili po ashtu gjatë javës së ardhshme pritet të qëndrojë për vizitë zyrtare në Bruksel.

    “Kryeministri Kurti do të ketë një vizitë zyrtare në Bruksel kah mesi i javës së ardhshme ku do të takohet me përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian. Nuk do të ketë takim në mes kryeministrit Kurti dhe z. Vuciq”, ka thënë Kryeziu për Reporteri.net.

    Se në Bruksel, Kurti e Vuçiq do të shkojnë në takime të ndara, konfirmojnë edhe mediat serbe. Sipas raportimeve në Serbi, Vuçiq pritet që më 26 dhe 27 prill të qëndrojë për vizitë në Bruksel.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që nga marrja e mandatit, disa herë e ka theksuar, se ai është i gatshëm për dialog me Serbinë, por nuk e ka ndër top prioritetet e tij.

    Kujtojmë se në letrën që Presidenti Biden, dje ia ka dërguar Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, kërkon vazhdimin e dialogut duke theksuar që marrëveshja duhet të përmbyllet me njohjen reciproke.

    Të njëjtën kërkesë  për vazhdimin e shpejtë të dialogut e kishte edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, por edhe presidenti francez, Emmanuel Macron. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!