Kreyministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbajtur sot një konferencë për media, i shoqëruar me ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifin.
Në fjalën e tij, shefi i ekzekutivit iu ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Ai ka përmendur 4 rreziqe që sipas tij mund të bëjnë që kosova gjatë muajit dhjetor të përballet me një valë të re të infektimeve.
“Rreziku i parë janë festat e dhjetorit dhe ne e dijmë që gjatë këtyre festave shumë mërgimtarë vijnë në Kosovë, kështu që e rrit dukshëm mundësinë për tu infektuar. Situata nëpër Evropë vazhdon të jetë tejet e rëndë ku banojnë një numër i madh i mërgimtarëve tonë si në Gjermani dhe Zvicër. Pra shtimi i numrit të udhëtarëve nga këto vende e rrit mundësinë që gjendja epidemiologjike të përkeqësohet ngjashëm edhe në Kosovë. Së treti, Kosova ka shkallë më të ulët të vaksinimit sesa këto vende evropiane, gjë që e bën një valë të re të infektimeve më të rrezikshme gjatë javëve e muajve në vijim, dhe së katërti varianti Omicron i cili tashmë është hapur në 38 vende të botës”, tha Kurti.
Kurti u shpreh se prandaj janë marrë edhe masat e reja duke parë rreziqet e lartëpërmendura nga ky variant i ri i quajtur Omicron./Reporteri.net/