×
  • Lajme
  • Lajme / Fb

    Kurti për “Defender Europe 25”: Do të ketë edhe qitje me zjarr të vërtetë me sistemet e armëve të blera

    Reporteri
    26 Maj 2025 | 16:26

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shkruar lidhur me ushtrimin “Defender Europe 25”, nikoqire e së cilit do të jetë sivjet Kosova. Ai ka thënë se në këtë ushtrim do të ketë edhe qitje me zjarr të vërtetë me sistemet e armëve të blera.

    Kurti ka thënë se ky ushtrim do të shtrihet në tri zona gjeografike të Evropës dhe se në zonën e Evropës juglindore ku hyn edhe Kosova do të marrin pjesë 12 mijë ushtarakë nga 19 shtete,

    Kurti ka bërë me dije se Forca e Sigurisë së Kosovës do të marrë pjesë me përafërsisht 1.000 trupa në ushtrimet që do të zhvillohen në Kosovë, Shqipëri, Kroaci dhe Maqedoni të Veriut, shkruan Reporteri.net.

    “Veçantia më e rëndësishme për ne në Ushtrimin Defender Europe 25 është që Republika e Kosovës është vendi i përzgjedhur nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të vendosur komandën e Divizionit 28 të këmbësorisë. Nga baza e FSK-së në Aeroportin e Gjakovës, kjo komandë taktike amerikane do të udhëheqë me të gjitha brigadat në regjionin e Evropës Juglindore”, ka shkruar Kurti.

    Pjesa e ushtrimit që zhvillohet në Kosovë do të zgjasë deri më 9 qershor dhe do të zhvillohet në pjesën perëndimore të vendit.

    Gjatë këtij ushtrimi, Kurti ka thënë se njësitë e FSK-së do të zhvillojnë operacione luftarake sulmuese, mbrojtëse dhe të stabilitetit.

    “Në ushtrim do të ketë edhe qitje me zjarr të vërtetë me sistemet e armëve të blera dhe që po vazhdojnë të blihen nga Qeveria e Kosovës për ushtrinë tone”, ka shkruar tutje Kurti.

    Kosova ishte paraparë të ishte nikoqire e këtij ushtrimi edhe në vitin 2023, por që ishte pezulluar pastaj nga ushtrimi.

    Ky ishte ndëshkimi i parë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin ndërmarrë kundër Kosovës për, siç ishte thënë, injorimin e këshillave të tyre për të shmangur rritjen e tensioneve në zonën veriore me shumicë serbe.

    Tensionet patën kulmuar më 29 maj, kur protestuesit ishin përleshur me pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, në Zveçan.

    Një ditë pas përjashtimit të Kosovës nga “Defender Europe ‘23”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e kishte cilësuar këtë si një “fatkeqësi”.

    “Nuk mendoj se [përjashtimi] është i drejtë, por kush jam unë të vendos”, kishte deklaruar Kurti, duke mbrojtur veprimet e Qeverisë së tij në veri./Repoteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!