×
  • Lajme
  • Lajme / Skandali me Rezervat Shtetërore

    Kurti kërkoi që të intervistohet në zyren e tij, Haxhiu: S’ka arsye që prokurorët të refuzojnë, s’është diçka e pazakontë

    Reporteri
    23 Dhjetor 2024 | 14:34

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në një konferencë për media ku ishte bashkë me Ministrin e Kulturës, Hajrullah Çeku ka folur edhe për ftesën e Prokurorisë Speciale për Kryeministrin Albin Kurti, e gjë për të cilën ajo tha se s’kanë arsye të refuzojnë kërkesën e kreut të qeverisë për ta intervistuar atë në zyre, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Sipas Haxhiut, një gjë e tillë s’po ndodh për herë të parë, pasi është bërë dhe në të kaluarën.

    “Kryeministri Kurti nuk e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për intervistim, përkundrazi kryeministri Kurti ka shprehur gatishmëri që kërkesa e tyre të realizohet. Kabineti i kryeministri i ka propozuar tri data se kur mund të realizohet kjo kërkesë bazuar në agjendën e kryeministrit Kurti, dhe tashmë gjatë kësaj jave kanë mbetur dy data që kabineti i kryeministrit i ka propozuar Prokurorisë Speciale”.

    “Nuk ka asnjë arsye që prokurorët që thuhet se janë të interesuar që të marrin dëshminë e kryeministrit Kurti për rezervat shtetërore, të refuzojnë kërkesën e kryeministrit Kurti për ta intervistuar në zyre siç ka kërkuar kryeministri. Kjo nuk është hera e parë që kjo ndodh, ka ndodhur edhe në të kaluarën por nuk duam të flasim”, tha Haxhiu para gazetarëve.

    Sipas saj, kjo nuk është diçka e pazakontë, ndërsa shtoi se nëse Prokuroria Speciale do dëshminë e Kurtit për rezervat shtetëtore, atëherë mund të shkojë në zyren e tij.

    “Nuk është diçka e pazakontë, nuk është diçka e paligjshme, prandaj nëse Prokuroria Speciale është e interesuar që ta marrë dëshminë e kryeministrit, lirisht mund t’i përgjigjet kërkesës së kabinetit Kurti. Prokuroria Speciale me këto veprime ka tendencë për ta minuar punën tonë, për ta bllokuar punën tonë, për ta dëmtuar LVV-në dhe qeverinë siç zakonshëm kanë bërë”, ka shtuar ajo.

    Ndonëse thirrjes së Prokurorisë Speciale si dëshmitar nuk i ishte përgjigjur për shkak të agjendës së tij jashtë vendit, ky institucion i bëri një thirrje të dytë më 19 nëntor, gjë për të cilën nga Qeveria thanë se prokurorët mund të merrnin dëshminë e Kurtit në tri orare që ishin propozuar, që një ishte të premten e kaluar, si dhe dy për këtë javë.

    “Prokuroria Speciale ka përcjellur një ftesë të dytë në adresë të kryeministrit Kurti për intervistim në cilësinë e dëshmitarit. Kabineti i Kryeministrit i është përgjigjur kësaj ftese duke ritheksuar gatishmërinë e kryeministrit që t’i mirëpres prokurorët në zyrën e tij për intervistim. Për këtë kemi propozuar tre orare të takimit. Një për sot, dhe dy orare tjera për javën tjetër. Presim një përgjigje pozitive meqë sipas praktikës kjo nuk do të ishte hera e parë që një kryeministër intervistohet brenda zyrës së tij, dhe i mirëpresim në kryeministri”, kishte deklaruar zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu.

    Për ftesën e tij si dëshmitar në rastin e rezervave shtetërore, Kurti është pyetur nga gazetarët më shumë se dy herë, por që s’ka pranuar të deklarohet.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!