×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti: Kontestimi i ligjeve në Kushtetuese, përpjekje dëshpëruese e opozitës për paralizim reformash

    Reporteri
    22 Shkurt 2023 | 10:50
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti  në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka folur për kontestimin e disa ligjeve në Gjykatën Kushtetuese  nga ana e opozitës.

    Kurti ka thënë se kjo është “përpjekje dëshpëruese për paralizim reformash”, shkruan Reporteri.net.

    Kryeministri këtu ka përmendur Ligjin për Këshillin Prokurorial, atë për Zyrtarët Publikë dhe Ligjin për Byronë e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme.

    “Krahas vullnetit dhe guximit për zbatimin e ligjit në fuqi kemi miratuar edhe ligje të tjera që do të jetësonin reformat e programit tonë qeverisës dhe ndryshimet për të cilat votuan qytetarët. Megjithatë, jo për rastësisë të tre këto ligje, bashkë me ligjin për masat e përkohshme mbrojtëse të furnizimin me produkte themelore, nëpërmjet të cilit  synohej të parandaloj abuzimi me çmimet e produkteve bazë janë dërguar në Kushtetuese nga opozita. Në historinë 15 vjeçare të shtetit të Kosovës nuk mbahet mend që kaq shumë ligje të jenë kontestuar në Gjykatën Kushtetues. Kontestimi i tyre është përpjekje dëshpëruese për paralizim të reformave”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

    Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme edhe Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është kontestuar në Gjykatën Kushtetuese nga Partia Demokratike e Kosovës.

    Ndërkaq, më 30 dhjetor të vitit të kaluar, Partia Demokratike e Kosovës e ka dorëzuar Ligjin për Zyrtarët Publikë në Gjykatën Kushtetuese. Pas PDK, në të njëjtën ditë të vitit të kaluar, edhe LDK-ja veproi njëjtë.

    Në anën tjetër, deri më tani janë mbi 30  ankesa për Ligjin e Pagave në Sektorin Publik që kanë shkuar në Zyrën e Avokatit të Popullit.

    Shumë sindikata e mekanizma të tjerë shtetërorë janë shprehur të pakënaqur me këtë ligj, duke dorëzuar ankesa tek Avokati i Popullit. /Reporteri.net/

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!