×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti: Kosova lider në Ballkanin Perëndimor, rreth 60% të qytetarëve janë vaksinuar me të dyja dozat

    Reporteri
    09 Dhjetor 2021 | 21:32

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot takoi Mirjana Spoljaric Egger, Ndihmëse e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, njëherit ndihmës administratore e UNDP-së dhe Drejtoreshë e Zyrës Rajonale të UNDP për Evropë dhe Komonuelthin e shteteve të pavarura.

    Siç informoi Qeveria, duke folur për planin e vaksinimit dhe rimëkëmbjes lidhur me COVID-19, kryeministri Kurti theksoi përqindjen e lartë të qytetarëve të vaksinuar të moshës 16+, me rreth 60% të vaksinuar me të dyja dozat, gjë që e bën Kosovën lider në Ballkanin Perëndimor.

    “Ne hartuam pakon e rimëkëmbjes ekonomike, e cila është 6% e Bruto Produktit Vendor, me synim për t’i mbështetur ata që patën humbur vendin e punës gjatë pandemisë dhe për formalizimin e vendeve të punës, prodhimin vendor, rritjen e eksportit, familjet, punëtorët shëndetësorë dhe policinë”, citohet se tha Kurti.

    Sipas Kurtit, situata me pandeminë theksoi nevojën e digjitalizimit sa më të shpejtë të shkollave tona. “Prandaj, qeveria po punon për strategjinë e re për arsimin, me digjitalizimin si një nga shtyllat e strategjisë. Digjitalizimi është një nga objektivat kryesore në programin tonë të qeverisë dhe Agjenda Digjitale 2030 do të jetë një nga pikat kyçe e strategjisë sonë të re të zhvillimit kombëtar”, u shpreh Kurti.

    Ai theksoi se qeveria synon të përdorë transformimin digjital si një shtysë për të përmirësuar administratën tonë publike, sistemin tonë arsimor, sektorin shëndetësor, sistemin e drejtësisë dhe të gjitha fushat e tjera të qeverisjes.

    Ndërsa, Mirjana Spoljaric Egger theksoi përkushtimin e UNDP për të mbështetur reformën zhvillimore të Kosovës, përfshirë forcimin e sundimit të ligjit, përpjekjet kundër korrupsionit, frenimin e ndotjes së ajrit, dekarbonizimin e ekonomisë, tranzicionin e energjisë drejt burimeve të ripërtëritshme, rritjen e efikasitetit të energjisë dhe zhvendosjen nga subvencionet e karburanteve fosile. Këto prioritete janë në përputhje me ofertën e UNDP për COVID-19 2.0 dhe ofrojnë mundësi të qartë për bashkëpunim të intensifikuar.​

    Tutje, Kryeministri Kurti vlerësoi mbështetjen e UNDP në ngritjen e kapaciteteve dhe ndihmën me ekspertizë në zhvillimin e Strategjisë së Sigurisë Kibernetike.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!