×
  • Lajme
  • Lajme / Seanca

    Kurti kthehet në Kuvend dhe krenohet se është Kryeministri i parë që prezanton buxhetin e katërt të mandatit

    Reporteri
    11 Nëntor 2024 | 11:02

    Pas fushatës së bërë në vende të ndryshme të Evropës, Kryeministri Albin Kurti është kthyer në Kosovës dhe i është bashkuar sot deputetëve dhe ministrave të pranishëm në seancën plenare në Kuvendin e Kosovës.

    Në Kuvendpo mbahet seancë me vetëm një pikë rendi të ditës, shqyrtimi i parë i Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2025, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Në fjalën e tij, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ai është Kryeministri i parë që po prezanton buxhetin e katërt të mandatit të tij, e njëherit edhe i pari Kryeministër që po e çon mandatin e tij deri në fund.

    I pari i qeverisë bëri të ditur se buxheti për vitin 2025 është 3.6 miliardë euro.

    “Kryeministri i parë që prezanton buxhetin e katërtë të mandatit, për ta shënuar kështu edhe qeverinë e parë që e çon mandatin deri në fund. Buxheti 3.6 miliardë euro për vitin 2025, ose 60% më i lartë se buxheti i vitit 2020. Për të arritur deri këtu, këto katër vite kaluam nëpër shumë sfida, por u siguruam që buxheti të orientohej aty ku kthimi ishte më i larti te qytetarët tanë”, tha Kurti para deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

    “Karakteristika të buxhetit 2025 janë, buxheti për paga dhe shtesa 13.5 % më i lart se në vitin 2024, buxheti për mallra dhe shërbime 3.2% më i lartë se në vitin 2024, buxheti për investime kapitale 8.3% më i lartë se në vitin 2024”, tha Kurti.

    Kryeministri ka thënë se janë qeveria me numrin më të madh të vendeve të punës të shtuara gjatë mandatit gati katër vjeçar.

    “Subvencionuam mijëra familje për të blerë pajisje efiçiente, përfshirë kondicionerë që shpenzojnë pak që faturat të peshonin sa më pak në arkën e familjes. I mbështetëm edhe ata që kursyen energjinë elektrike”.

    “Jemi qeveria me numrin më të madh vendeve të punës të shtuar brenda mandatit që aktualisht ende pa e përfunduar po arrin në 78 mijë vende pune më shumë, se sa kur e kemi marrë mandatin në pranveren e vitit 2021”.

    “Në periudhën janar-shtator 2024 kanë shënuar rritje të konsiderueshme prej më shumë se 7.1%, krahasur me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja e punësimit, të hyrave, na ka mundësuar ta kemi këtë buxhet historik 3.6 miliardë euro. Ky buxhet është buxhet për familjen sepse secila familje duhet të përfitojë”, tha Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

    Në anën tjetër, opozita javën e kaluar ka deklaruar se nuk do të votojnë buxhetin për vitin 2025.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!