Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se një marrëveshje eventuale politike duhet të ndërtohet duke respektuar rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit dhe jo duke e ndryshuar vullnetin e qytetarëve të shprehur përmes votës.
Pas takimit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, Kurti tha se qëllimi i bisedimeve është që rezultati zgjedhor të shndërrohet në stabilitet institucional dhe funksionim demokratik të institucioneve.
“Kemi nevojë për një marrëveshje politike e cila respekton rezultatin zgjedhor, nuk e zëvendëson atë, por e shndërron rezultatin zgjedhor edhe në kontribut për stabilitet institucional dhe për funksionim të Republikës së Kosovës në mënyrë demokratike”, tha Kurti, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Ai theksoi se marrëveshja mes subjekteve politike duhet të jetë një mënyrë për të garantuar funksionimin e institucioneve, duke ruajtur parimet demokratike.
“Ne kemi diskutuar për qasje të ndryshme, për mundësi që i kemi përpara. Ajo që na duhet është një marrëveshje politike e cila nuk e ndryshon vullnetin e qytetarëve, por e kthen atë në punë konkrete për vendin”, u shpreh Kurti.
Sipas tij, dialogu mes partive është i domosdoshëm për të tejkaluar situatën aktuale politike dhe për të shmangur një krizë të re institucionale.
“Askush nuk i do zgjedhjet e reja, mirëpo nëse nuk do të kemi marrëveshje, nëse nuk do të kemi hapa përpara, përkundër mosdëshirës që të shkojmë në zgjedhjet e reja, fatkeqësisht ato mund të shkaktohen”, deklaroi kryeministri në detyrë.
Kurti tha se si LVV-ja ashtu edhe LDK-ja janë të vetëdijshme për përgjegjësinë që kanë në këtë proces dhe se do të vazhdojnë komunikimin për të gjetur një zgjidhje.
“Do të përpiqemi maksimalisht të vazhdojmë komunikimin dhe takimet. Janë afruar ditët, koha është shkurtuar dhe do të na duhet që edhe në rast të mungesës së një marrëveshjeje politike, të jemi në fillimin e seancës konstituive të legjislaturës së 11-të”, tha Kurti.
Ai shtoi se marrëveshja duhet të jetë në interes të vendit dhe të garantojë funksionimin demokratik të Republikës së Kosovës.