Tentativa e tretë për konstituimin e Kuvendit, sërish ka mbetur në gjysmë. Deputetët janë betuar, mirëpo Kryetari i Kuvendit, ka dështuar të zgjidhet. Lëvizja Vetëvendosje nuk i kishte numrat për ta zgjedhur Albulena Haxhiun në këtë pozitë, që pamundësoi vazhdimin e hapave tjerë. Nga 61 vota sa duhen, në dy tentativa, Haxhiu mori vetëm 57. Përpjekja tjetër do të jetë të hënën, shkruan Reporteri.net.
Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka shumicën. Kjo është vërtetuar në të dy tentativat e sotme për ta zgjedhur Albulena Haxhiun si Kryetare të Kuvendit të Kosovës.
Pavarësisht lutjes së Nënkryetarit të VV’së, Glauk Konjufcës drejtuar deputetëve të opozitës, Haxhiu nuk arriti të zgjedhet as në votimin e dytë.
“U kisha lut, si kolegë, shumë prej juve me shumë mandate në Kuvend, ta mbështesni këtë propozim, sepse vetëm kështu nuk bëhemi pjesë e bllokimi të themelimit të institucioneve. T’i thirrim arsyes të gjithë, që ta votojmë, e të shkojmë në faza të tjera”, ishte kërkesa e Konjufcës.
Kjo lutje nuk ua theu mendjen deputetëve të partive tjera. Sërish pro Haxhiut ishin 57 deputetë, 20 kundër dhe tri abstenime. Abstenimet erdhën nga partia e Fatmir Limajt.
Tentativa e radhës do të jetë të hënën. Vetë Haxhiu ka thënë se do të jetë sërish emri i propozuar për kryeparlamentare.
Ajo akuzoi se opozita po e mban të bllokuar Kuvendin, pasi s’e mbështetën propozimin e Vetëvendosjes.
“Së pari më lejoni të falenderoj 57 deputetë që më mbështetën që të jem kryetare e Kuvendit, duhen edhe 4 vota. Pra, nga të gjithë deputetët, 61 duhet të jenë për. Siç e kuptuat, seanca u peuzullua, brenda 48 orëve u thirr seanca e radhës, Kuvendi nuk kunstitohet pa u zgjedhë kryetari dhe nënkryetarët. Ne ishim gati të vazhdojmë me procedurat e mëtejme, mirëpo duket që opozita po e mban të bllokuar Kuvendin sepse nuk e mbështeten propozimin e VV-së. I përket VV-së ta bëjnë propozimin e radhës, do të jetë emri i njëjtë, faleminderit”, tha ajo.
Propozimi për Haxhiun u bë pas kalimit të raportit për verifikimin e mandateve të deputetëve, që pasoi me betimin e tyre. Ky raport ishte arsyeja e dështimit të seancës konstituive të martën dhe të enjten.
Të martën raporti nuk kaloi meqë partitë që deri vonë ishin në pozitë kërkonin dorëheqjet e Kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit dhe Ministrave. Seanca ishte ndërprerë, teksa Dehari i ishte drejtuar me letër të nesërmen Presidentes Vjosa Osmani, lidhur me hapat tutje.
Osmani i kishte kthyer përgjigje Deharit po atë ditë, ku i kishte kërkuar që Kuvendi të mblidhej brenda 48 orësh nga ora e ndërprerjes së seancës të së martës.
“Rrjedhimisht, gjithashtu ju rikujtoj se fryma e Kushtetutës, praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit të Kosovës, ju obligon që seancën konstituive ta vazhdoni jo më vonë se brenda dyzet e tetë (48) orëve nga ndërprerja e saj. Andaj, ju ftoj që në përputhje me autorizimet tuaja si Kryesues i seancës konstituive të Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit, efektive që nga data 8 prill 2025, ta realizoni seancën konstituive në përputhje me parimet kushtetuese të përmendura më lart, Rregulloren e Kuvendit si dhe legjislacionin në fuqi.”, thuhej në letër.
Kuvendi ishte mbledhur të enjten, por raporti nuk ishte hedhur fare në votim.
Dehari i kishte ftuar partitë në konsultim përgjatë seancës, e meqë nuk kishte pajtim si të vazhdohet tutje, seanca ishte ndërprerë.
PDK, LDK dhe AAK kishin akuzuar LVV-në se me ndërprerjen e seancave po tenton “të blejë kohë për pazare politike”, pasi sipas tyre, partia e Albin Kurtit nuk i ka votat për të zgjedhur kryeparlamentarin e as Qeverinë.
Këto parti insistonin që anëtarët e kabinetit qeverisës, që kanë dhënë dorëheqje me qëllim që të betohen si deputet, nuk mund të vazhdojnë punën në ekzekutiv.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka cilësuar si të pakuptimtë kërkesën për dorëheqje, me argumentin se Qeveria e tij është në dorëheqje që nga 23 marsi.
Sot në një takim konsultativ që u thirr para fillimit të seancës nga Kryesuesi Avni Dehari, partitë ranë dakord që Komisioni për Verifikim të Mandateve të deputetëve, të mblidhej sërish dhe me përbërje të njëjtë, dhe të dalë me raport të ri.
Raporti u miratua pastaj me votat e 120 deputetëve.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha para raportit se Albin Kurti dhe ministrat kanë dhënë dorëheqje individualisht.
Krasniqi tha se dorëheqjet janë përfshirë në procesverbal të raportit, me propozim të PDK’së.
“Kërkesa dhe rekomandimi i deputetit Përparim Gruda është miratuar ashtu që të evidentohet në proces verbal të raportit që të gjithë ministrat e bashkë me ta edhe kryeministri kanë dhënë dorëheqje individualisht…Dorëheqja është evidentuar saktësisht, individualisht në procesverbalin e takimit”, ka thënë Krasniqi.
Pas dështimit për ta zgjedhur Haxhiun si Kryeparlamentare, Krasniqi tha se kjo dëshmoi se Lëvizja Vetëvendosje e ka krijuar bllokadën këto ditë pasi nuk i ka numrat.
“Krejt bllokada që ka ndodh këto ditë ka ndodhur për faktin që e pamë: këta nuk kanë numra, i kanë pas 52 vota, tash i kanë 57 e nuk do t’i bëjnë 61”, ka thënë Krasniqi.
Pas dështimeve në numra sot, nga partia e Albin Kurtit kanë dalë me propozimin e shpërndarjes së Kuvendit dhe shkuarje në zgjedhje të reja.
Është zyrtari i VV-së, Blerim Sallahu, që në Qeverinë Kurti 2 ka mbajtur pozitën e zëvendësministrit të Drejtësisë, ka thënë se opozita duhet ta votojë kandidaten e tyre dhe më pas me pajtim të gjitha partive të shkohet në zgjedhje të reja.
“Opozita më në fund ra në linja ligjore dhe kushtetuese për sa i përket votimit të raportit për verifikim të mandatave dhe kuorumit. Pra, ata kanë bërë sjellje jokushtetues, e jo ne. Tash duhet opozita të votojë kandidaten për kryetare të Kuvendit, meqë edhe na takon sipas Kushtetutës dhe pas kësaj, duhet një pajtim i të gjitha partive politike në formë të shkruar në mënyrë që të shpërndahet Kuvendi dhe të shkojmë në zgjedhje. Kjo është ecje përmes shtratit kushtetues!”, ka shkruar Sallahu në Facebook./Reporteri.net