×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti mirëpret fillimin e shërbimeve nga Starlink në Kosovë: Një hap i madh për infrastrukturën digjitale

    Reporteri
    22 Dhjetor 2024 | 9:27

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mirëpritur lajmin e fillimit të shërbimeve cilësore të internetit në vendin tonë, nga kompania Starlink e miliarderit Elon Musk.

    Kurti në një postim në Facebook ka shkruar se ky është një hap i rëndësishëm në avancimin e infrastrukturës digjitale.

    “Pas lëshimit të autorizimit nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Starlink ka filluar shërbimet satelitore të qasjes në internet edhe në Kosovë. Ky është një hap i rëndësishëm në avancimin e infrastrukturës digjitale në vend dhe ofron mundësi të shumta për qasjen në internet në çdo lokacion e cep të territorit të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Kurti.

    Kryeministri tutje është shprehur se Starlink është dëshmuar jashtëzakonisht i rëndësishëm në mundësimin e komunikimit kritik gjatë fatkeqësive natyrore ose rasteve të tjera të emergjencave kombëtare.

    Shërbimet e kësaj kompanie në Kosovë i ka konfirmuar vetë Musk në një postim në X, ku shkroi shkurt: “Starlink në Kosovë”.

    Starlink është shërbimi inovativ i internetit satelitor i krijuar nga SpaceX, kompania e hapësirës e drejtuar nga Elon Musk.

    Ky sistem bazohet në një rrjet të dendur satelitësh të vendosur në orbitën e ulët të Tokës, të cilët ofrojnë lidhje interneti me shpejtësi të lartë dhe vonesë të ulët për përdoruesit në mbarë botë.

    Synimi i Starlink është të sigurojë akses të internetit në zona rurale, të largëta ose të paaksesueshme nga infrastruktura tradicionale.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!