×
  • Lajme
  • Lajme / 1989

    Kurti në 36-vjetorin e grevës së minatorëve: Trepça nuk është e nuk ka qenë asnjëherë thjesht një ndërmarrje

    Reporteri
    20 Shkurt 2025 | 22:30

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në 36-vjetorin e grevës së minatorëve të vitit 1989 në Stan Tërg, ka nderuar kontributin dhe sakrificën e tyre, duke theksuar rëndësinë historike të kësaj ngjarjeje.

    Ai është shprehur se qysh në atë grevë kërkohej ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës dhe shqiptarëve në ish-Jugosllavi në përgjithësi.

    ”Sot 36 vjet më parë, 1,300 minatorë të Trepçës hynë në grevë, nëntokë, për tetë ditë. Nga 20 shkurti e deri më 28 shkurt 1989, horizontet 8 dhe 9 të zgafellës së Xeherores së Stan Tërgut, u patën kthyer në llogore rezistence kundër politikave antishqiptare të Serbisë dhe të Jugosllavisë. Kërkesat e minatorëve ishin të shtruara asokohe në gjithsej dhjetë pika, që i mësoi e gjithë Kosova, shqiptaria dhe opinioni publik ndërkombëtar, ndër të cilat pika e 8, thoshte: “fati i shqiptarëve në Kosovë e në Jugosllavi të shqyrtohet në Kombet e Bashkuara”. Pra qysh në atë grevë kërkohej ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës dhe shqiptarëve në ish-Jugosllavi në përgjithësi” u shpreh Kurti.

    Më tutje Kurti tha se Trepça nuk është e nuk ka qenë asnjëherë thjesht një ndërmarrje.

    ”Trepça nuk është e nuk ka qenë asnjëherë thjesht një ndërmarrje. Ajo është zinxhiri që lidh të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen tonë ekonomike dhe jo vetëm. Nëpërmjet zhvillimit, ka ndihmuar arsimin e industrinë. E përmes saj është bërë dhe shkruar historia. Jo vetëm historia ekonomike e vendit, por edhe ajo politike me efekte rajonale dhe me jehonë ndërkombëtare”, u shpreh Kurti.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!