Pas takimit të 10-të të Komitetit të përbashkët Parlamentar për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, Kryeministri Kurti u prit nga kryesuesi i grupit parlamentar ‘’Renew Europe’’, eurodeputeti Stephane Sejourne, i shoqëruar nga kolegët e tij Ilhan Kyuchyuk, Dragos Tudorache dhe Klemen Groselj.
Kryeministri Kurti i falënderoi eurodeputetët dhe grupin e tyre parlamentar për pozicionimin dhe qëndrimin e tyre pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën, proces i cili pritet që së shpejti të finalizohet suksesshëm, përcjell gazeta online Reporteri.net.
Palët diskutuan dhe mbi rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian të Republikës së Kosovës dhe aplikimeve për anëtarësim në BE dhe Këshillin e Evropës.
Më tej, Kryeministrit Kurti i njoftoi reformat e deritanishme dhe rezultatet e arritura përgjatë dy viteve të fundit.
“Vendi ynë vazhdon të shënojë përmirësim në indikatorë ekonomikë e demokratikë, të cilët janë përkthyer në renditjen e Kosovës në mesin e vendeve me përparimin më të lartë të demokracisë në rajon e më gjerë. Sundimi dhe zbatimi i ligjit, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit po kontribuojnë në konsolidimin e shtetit të së drejtës, si bazament i drejtësisë, demokracisë e zhvillimit”, ka deklaruar Kurti para eurodeputetëve.
Takimi u përmbyll duke biseduar mbi procesin e dialogut, propozimin Evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për takimin e 18 marsit. /Reporteri.net/.