×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti në televizionin e VV-së adreson një sërë kritikash për Qeverinë Hoti

    Reporteri
    12 Shtator 2020 | 21:38

    Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është mysafiri i radhës në televizionin e partisë së tij, TVV.


    Në intervistën e dhënë për TVV-në, Kurti ka folur për 100 ditëshin e Qeverisë Hoti, ndaj së cilës ka adresuar një sërë kritikash, shkruan Reporteri.net.

    Sipas Kurti, Qeveria “Koti” është trefish Qeveri e pakicës, pasi që kishte vetëm 59 deputetë, prej tyre vetëm 40 shqiptarë dhe nuk kishte as 1/3 e mbështetjes qytetare.

    Kurti ka thënë se në kohën e krizës së shumëfishtë, kur nevojitej një qeveri me besueshmëri si asnjëherë, ne kishim të kundërtën.

    “Qeveri me mosbesim të paparë në Kosovën e pasluftës dhe gjithashtu e paligjshme.”, kështu e vlerësoi Kurti Qeverinë që udhëhiqet nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Ai përmendi disa nga vendimet e kësaj Qeverie, që sipas tij janë të dëmshme për Kosovën.

    “Qeveria Koti në 100 ditë hoqi reciprocitetin me Serbinë, pushoi kërkimin e njohjeve dhe anëtarësimeve të reja ndërkombëtare për Kosovën, u zotua për të hyrë në Mini-Shengenin Ballkanik, bëri Ujmanin temë të negociatave me Serbinë pa çka Ujmani është ndërtuar nga Kosova për nevojat e Kosovës dhe është pronë dhe pasuri e Kosovës, mandej u rikthyen te çështja e Zajednicës dhe u zotuan për zbatimin e saj, e hoqën emërtimin e Republikës dhe nga pikat kufitare përmendin vetëm Merdaren, por jo edhe Mutivodën, Jarinjën e Bërrnjakun.”, ka thënë Kurti në TVV- transmeton Reporteri.net.

    Kurti ka folur edhe për menaxhimin e pandemisë COVID-19, ku sipas tij Kosova nga një vend shembull jo vetëm për rajonin, u shndërrua në kampion mortor të numrit të vdekjeve për 1 milion banorë duke rrezikuar jo vetëm shëndetin publik por edhe sektorin e shëndetësisë.

    Ai tha se kjo Qeveri përmes temës së Ujmanit të cilën e vendosi në negociata, Serbisë ia hapi derën që të diskutojë pronën e Kosovës.

    Ai ka thënë se pas një marrëveshjeje “me pasoja për Kosovën”, duhet të kishte arrestime dhe se rikthimi i VV-së në Qeveri do të mundësojë shtetin e së drejtës.

    “Po të kishte Kosova prokurorë të vërtetë me siguri që do të vepronin menjëherë. Dhe shteti i së drejtës nuk do t’i durojë as në pushtet e as në liri njerëzit e këtillë.”, është shprehur ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!