Kryeministri i vendit, Albin Kurti, nesër në ora 08:00 do të bëjë homazhe në Krushë të Vogël dhe Krushë të Madhe.
Pas homazheve, Kurti do të shkojë për vizitë zyrtare në Shqipëri ku do të takohet me krerët e shtetit shqiptar, njoftojnë nga Zyra e Kryeministrit.
Agjenda e bisedimeve ende nuk është zbardhur e plotë, por sipas të dhënave në fokus të bisedës mes dy liderëve shqiptarë pritet të jetë marrëveshja e arritur në Ohër mes Kosovës dhe Serbisë për planin evropian që çon në normalizimin e marrëdhënieve.
Fundjavën që shkoi Kosova dhe Serbia u pajtuan në Ohër mbi zbatimin e një plani evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
E mirëpritur në shkallë të gjerë nga diplomacia perëndimore, marrëveshja ka nxitur reagime në të dyja vendet.
Në Kosovë, shqetësimet lidhen kryesisht me zotimin e saj që t’i jap një shkallë më të gjerë të “vetë-menaxhimit” komunitetit serb dhe të zbatojë marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën e djeshme të Kuvendit ku raportoi për dialogun me Serbinë dhe takimin e Ohrit, ka pranuar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe ekziston në marrëveshjen e dakorduar më 18 mars.
Kurti tha se aleatët ndërkombëtarë ia kanë bërë të qartë se detyrimet ndërkombëtare që janë arritur në emër të shtetit tonë nuk ndryshojnë, edhe kur qeveritë ndryshojnë. /Reporteri.net/
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.