Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është pyetur në Babaj të Bokës nga gazetarët për bllokadën në Kuvendin e Kosovës.
“Kuvendi duhet të konstituohet. Kosova nuk ka kuvend, por Kosova ka qeveri, Kosova ka stabilitet dhe sidomos ju po e shihni sot si Kosova ka ushtri”, tha ai.
Kurti ia ka shuar shpresat për kryetar të parlamentit, kreut të NISMA’s, Fatmir Limaj.
“Ne e kemi dhënë propozimin tonë”, tha Kurti kur u pyet nga gazetarët nëse do ta propozojnë Limajn për kryeparlamentar.
Ndryshe, kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, të hënën ka thënë se është i gatshëm për të kontribuuar në ndërtimin e një marrëveshje politike që do të zhbllokonte situatën e krijuar dhe do të krijonte stabilitet, shkruan Reporteri.net.
Ai ka përmendur sërish kushtin e tij për pozitën e Kryetarit të Kuvendit.
“Siç kam deklaruar edhe më parë publikisht, NISMA Socialdemokrate ka ofruar partneritet në kuadër të Kuvendit për të garantuar funksionalitet institucional. Ne kemi qenë dhe jemi të gatshëm për të kontribuar në ndërtimin e një marrëveshjeje politike që e zhbllokon situatën dhe garanton stabilitet. Qytetarët presin zgjidhje dhe qeverisje, jo krizë të përhershme. Kosova ka nevojë për i
Deklarata e Limajt vjen pas takimit që ka pasur me përfaqësues të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) dhe organizatave të tjera të shoqërisë civile.
“Pajtohemi se bllokimi i institucioneve është i papranueshëm dhe çdo tentim për të shkuar në zgjedhje të reja për shkak të dështimit për të formuar institucionet është i dëmshëm për vendin. Kjo është një dukuri që e cënon të ardhmen politike dhe demokratike të shtetit tonë. Në këtë takim theksova se në emër të demokracisë nuk mund të justifikohet dëmtimi i interesit të vendit. Demokracia nuk nënkupton shkatërrim institucional, por zgjidhje politike përmes marrëveshjes”, ka deklaruar Limaj.
Kryeministri në detyrë, njëherit kreu i VV’së, Albin Kurti, ka shprehur interesim për një koalicion me Limajn, por vetëm në këmbim të ministrive. Sipas Kurtit, pozita e Kryetarit të Kuvendit nuk mund t’i takojë një partie që ka tre deputetë.
“Unë jam shumë i interesuar që të bashkëqeverisim, pra që ata të kenë Ministri në Qeveri”, ka thënë Kurti para dy javësh.
Mirëpo, Limaj ka thënë se nuk janë të interesuar për qeveri.
“z.Kurti ka ofru një opsion për qeverisje, për me qenë pjesë e Qeverisë. I kam thënë që Nisma nuk është e interesuar pjesë e Qeverisë. I kemi arsyet tona. Nëse ju doni partneritet me neve, ne mund të bëjmë partneritet në nivel Kuvendi. Tani për tani s’jemi të intersuar për qeveri. Jam i gatshëm që të marrë përgjegjësinë e Kryetarit të Kuvendit dhe një paketë ligjore”, ka deklaruar Limaj.
Sipas tij, në takimin e fundit që kanë realizuar, kanë pasur edhe dakordim gojor me Kurtin, që Limaj të bëhet Kryetar Kuvendi. Gjithë kjo ka thënë se ka ndodhur para seancës së 15 prillit.
Të mërkurën do të bëhet përpjekja e 26’të për konstituim. E propozuara e VV’së për Kryetare Kuvendi vazhdon të mbetet Albulena Haxhiu. Emri i saj po kundërshtohet nga partitë tjera. Në asnjërën nga votimet, ajo nuk ka siguruar votat e nevojshme. Më së shumti i ka marrë 57, e për t’u zgjedhur i nevojiten 61. PDK dhe AAK i kanë kërkuar VV’së që ta ndërrojë kandidaten, madje kanë dhënë edhe emra konkret që do t’i votonin. LDK ndërkohë ka thënë se nuk do ta votojë asnjë kandidat që propozon Vetëvendosje./Reporteri.net