×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti ofroi por Vuçiqi refuzoi nënshkrimin e marrëveshjes, Lajçak tregon si qëndron e vërteta

    Reporteri
    03 Mars 2023 | 21:15

    Pas përfundimit të takimit në Bruksel, me Vuçiqin, Kurti iu drejtua mediave. Teksa foli për rezultatet e arritura, kryeministri i Kosovës tregoi se ishte i gatshëm që marrëveshjen e arritur ta çonte edhe një hap më tutje; jo vetëm ta pranonte, por edhe të nënshkruante aty për aty. Mirëpo, sipas tij, pala tjetër refuzoi.

    Anipse vetë Vuçiq pati vërejtjet e tija për përceptimet e kryeministrit Kurti gjatë takimit, emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, tha se deklarata e Kurtit qëndron, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Mirëpo, sipas Lajçak, kërkesa e Kurtit s’mund të pranohej, ngase ende nuk është qartësuar gjithçka, me theks te mungesa e një aneksi të implementimit.

    Emisari i BE-së tha se zyrtarizimi i marrëveshjes duhet bëhet vetëm atëherë kur arrihet dakordim i plotë mbi hapat e implementimit të propozimit evropian.

    “Është e vërtetë që z. Kurti propozoi që kjo marrëveshje mbi propozimin duhet zyrtarizuar edhe formalisht, përmes nënshkrimit të tij; mirëpo, sipas BE-së, ky hap do të ishte i parakohshëm. Fakt është që kjo marrëveshje, që nuk është gjë e vogël, por pa dakordim për procesin e implementimit, është akoma më tepër si deklaratë politike sesa marrëveshje ligjërsisht e obligueshme. Prandaj, ne sugjeruam që duhet të presim edhe pak për ta nënshkruar deri sa të arrihet mirëkuptim i plotë dhe të dakordohemi se si do ta implementojmë propozimin”, deklaroi Lajçak në intervistë për Atlantic Council.

    Pas takimit të 27 shkurtit, Kurti, para mediave, deklaroi se ndonëse pati dakordim, marrëveshja nuk u nënshkrua sot pasi pala tjetër [Vuçiq], nuk ishte e gatshme.

    “Unë nuk e kam nënshkruar sepse pala tjetër nuk ishte e gatshme. Unë kam shprehur gatishmërinë dhe interesimin për ta nënshkruar këtë tekst”, deklaroi Kurti para mediave.

    “Edhe unë mendoj se është dëm pse nuk është nënshkruar sonte meqë u pajtuam. Konfirmimi i pranimit të këtij teksit do të duhej të përfundonte me nënshkrim, mirëpo ishte pala serbe që nuk e bëri këtë ndonëse u pajtuam”, theksoi tutje kryeministri. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!