×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti ‘optimist’ për takimin në Bruksel, pret marrëveshje këtë këtë vit – ia çon një kërkesë Beogradit

    Reporteri
    21 Shkurt 2023 | 8:44
    Takim Kurti-Vuçiq në Bruksel, nën ndërmjetësimin e zyrtarëve të Bashkimit Evropian. Fotografi nga arkivi.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur shumë optimist rreth takimit që do të mbahet më 27 shkurt në Bruksel nën patronazhin e BE-së, me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Kurti madje, ka thënë se vazhdon të ketë besimin se një marrëveshje mund të arrihet këtë vit.

    “Mendoj se takimi i ardhshëm [në Bruksel] do të shpërfaq se sa mund të shpresojmë këtë vit. Unë jam optimist, jam shumë optimist se mund të arrihet një marrëveshje këtë vit. Kemi nevojë për përfshirje të madhe të komunitetit ndërkombëtar por në të njëjtën kohë Beogradi zyrtar duhet ta distancojë vetën si nga e kaluara, përkatësisht Millosheviqi, dhe nga e tashmja, përkatësisht presidenti despotik Putin”, deklaroi Kurti në këtë intervistë të cilën e realizoi gjatë pjesëmarrjes së tij në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

    “Duhet ta pranoj se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë nuk janë të normalizuara, edhe pse shteti ynë është i normalizuar. Në anën tjetër, Serbia, sipas “Freedom House” nuk është shtet demokratik, ka regjim hibrid. Ne duam normalizim të plotë me qendër në njohje reciproke dhe besoj se diplomacia lëvizëse dhe takimet e nivelit të lartë, që do të ndodhin këtë vit, do të na sjellin më afër që të arrihet kjo marrëveshje, bazuar në propozimin evropian, të iniciuar nga Franca dhe Gjermania”.

    Kurti tha se po vazhdon të jetë i përkushtuar dhe konstruktiv në dialogun me Serbinë, derisa theksoi se propozimi evropian siguron njohjen de-facto për Kosovën.

    “Unë jam i përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ në arritjen e marrëveshjes sepse koha është thelbësore në këtë. Propozimi evropian ia siguron Kosovës njohjen de-facto, dhe merr shumë paragrafe nga modeli i dy Gjermanive i vitit 1972, që çoi në ulëse brenda BE-së për të dyja shtetet”, tha kryeministri Kurti.

    Ai deklaroi se nuk mund të thotë se kur do të arrihet marrëveshja, por shtoi se është i përkushtuar, konstruktiv, kreativ në arritjen e kësaj marrëveshjeje gjatë këtij viti, “sepse koha është thelbësore”.

    Kurti tha se propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi jep njohje ‘de-fakto’ dhe përmban shumë paragrafë, “nga modeli gjermano-gjerman i vitit 1972, i cili çoi në vende në OKB nga të dy vendet”.

    Ndër të tjera, Kurti pati një kërkesë direkte karshi Serbisë.

    ”Ne kemi nevojë që Beogradi zyrtar, që të fillojë dhe të distancohet si nga e kaluara, përkatësisht nga Millosheviqi, ashtu edhe nga e tashmja, domethënë nga presidenti despotik Putin”, theksoi shefi i qeverisë.

    Kryeministi, ka komentuar deklaratat fyese të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ndaj tij.

    Në intervistë për mediumin francez, “France 24”, Kurti tha se nuk mund të komentojë mbi nivelin e shkollimit të Vuçiqit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Ai tha se deklarata të tilla, Vuçiq i bën për arsye se është i panikosur me progresin që po bën Kosova, pavarësisht (mos)njohjes nga Serbia.

    “Unë mund të flas vetëm për qëndrimet dhe mendimet e tij, jo për nivelin e tij të shkollimit. Më ka japur të gjitha epitetet e mundshme, por unë mendoj se kjo ka të bëjë me nervozë dhe panik në Beograd me progresin që po bën Kosova. Pavarësisht mosnjohjes nga Kosova, ne po përparojmë, ndërsa ata, pak a shumë, e kanë izoluar veten duke mos shkëputur ushtrinë e tyre, ekonominë, energjinë, mediat, universitetet dhe Kishën Ortodokse, nga Kremlini”, tha Kurti. /Reporteri.net/.

    Kurti për mediumin francez: Jam shumë optimist se këtë vit mund të arrihet marrëveshja me Serbinë

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!