×
  • Lajme
  • Lajme / Kritikat rreth dinarit

    Kurti pas deklaratës së ashpër të O’Brien: Marrëdhëniet me SHBA-në nuk janë duke u rrezikuar

    Reporteri
    14 Shkurt 2024 | 14:35

    Kryeministri Albin Kurti ka thënë se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë duke u rrezikuar.

    Kurti këtë deklaratë e bëri kur u pyet për  deklaratën e  ashpër të ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, i cili të martën tha se Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara me vendimin e qeverisë së Kosovës për të mos lejuar përdorimin e dinarit.

    O’Brien për më tepër u shpreh se me këtë qëndrim, Qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara.

    E për kryeministrin Kurti bashkëpunimi me SHBA-në është duke vazhduar, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Republika e Kosovës nuk ka partner, aleat edhe mik të rëndësishëm sikurse SHBA-të, kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj  unë si kryeministër i Kosovës. Banka Qendrore e Kosovës ka prezantuar një plan 10-pikësh për zbatimin e rregullores së saj. Ne jemi  Republikë demokratike, Qeveria nuk u mbivendoset institucioneve të pavarura siç është BQK-ja dhe në mesin e këtyre 10 pikave si plan pune për zbatimin e rregullores, BQK nuk ka paraparë asnjë masë ndëshkuese. Pra pa ndëshkim dhe pa incidente duam të ecim përpara. Kushtetutshmëria dhe ligjshmëria janë prioritet i yni, por njëkohësisht ne kujdesemi edhe paqe e siguri, kujdesemi edhe për mirëqenien e qytetarëve serbë”, tha Kurti para gazetarëve sot në Prizren.

    Kurti tha se i kanë dërguar një letër Bankës Popullore të Serbisë rreth çështjes së dinarit, por duke mos specifikuar konkretisht se për çfarë bëhet fjalë.

    “Unë jam kryeministër që nuk dëshiron që qytetarët të kenë më pak para por të kenë më shumë para. BQK-ja ia ka dërguar një letër Bankës Popullore të Serbisë, shpresojmë që ata të përgjigjen. Nuk është ndaluar dinari në Kosovë bëhet fjalë vetëm për dinarin si mjet pagese, jo për dinarin që mund ta kenë qytetarët. Nuk dëshirojmë që të ndëshkojmë askënd, me kurrfarë masash mirëpo ta bëjmë këtë tranzicion ashtu që të legalizohet e formalizohet çdo transaksion financiar. Siç e dini në 4 komunat në veri ekzistojnë katër degë të Bankave komerciale dhe 15 institucionet financiare jobankare. Shkëmbimi është kollaj i mundshëm. Mos harroni që 33 mijë pensionistë serbë për çdo muaj e marrin psnsionin e republikës së Kosovës në euro. Nuk e kemi asnjë rast kur dikush thotë nuk i marr se euro. Euroja nuk ka refuzues e dinari nuk ka martir. Unë nuk besoj që qytetarët serbë janë ata që e shohin këtë problem, por Beogradi zyrtar që nuk e pranon pavarësinë dhe nuk i provon krimet e kryera në Kosovë është ai që bën këso alarmime politike”, u shpreh kryeministri Kurti. /Reporteri.net/

     

    O’Brien: Qeveria e Kosovës të tërhiqet nga vendimi për dinarin

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!