×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Përfundon takimi

    Kurti pas takimit me Abdixhikun: E pashë vullnetin e LDK-së për ta zgjedhur presidentin

    Reporteri
    18 Gusht 2026 | 18:43

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se takimi me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, është zhvilluar në një atmosferë konstruktive, duke shprehur optimizëm për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të ri.

    Pas takimit, Kurti tha se ka parë vullnet të qartë nga LDK-ja që të gjendet një zgjidhje për zgjedhjen e presidentit, pa pasur nevojë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

    “Takimi shkoi në atmosferë konstruktive edhe e pashë vullnetin e LDK-së që vendit t’ia sjellim një president të ri që nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, që duhet të sigurojmë funksionim demokratik të shtetit dhe që për këtë duhet të ndërtojmë mirëbesim”, ka deklaruar Kurti.

    Ai tha se gjatë takimit është diskutuar edhe për kriteret që duhet t’i plotësojë figura e presidentit të ardhshëm.

    “Diskutuam kriteret për figurën e presidentit apo presidentes nga shumë kënde dhe në disa rrafshe, por në veçanti sa i përket vlerave, meritave dhe kontributeve në shoqëri për kombin mbarë dhe në profesione të caktuara”, tha ai.

    Ky ishte takimi i katërt ndërmjet përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës në përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje politike.

    Kurti tha se vullneti për të gjetur një zgjidhje për presidentin duhet të shihet si sinjal pozitiv.

    “Vullneti i qartë për të arritur marrëveshje për president duhet të na bëjë optimistë”, u shpreh Kurti.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!