Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka zhvilluar sot takime me krerët shtetëror përgjatë vizitës së tij në Kosovë.
Gjatë kësaj vizite, ai është takuar edhe me kryeministrin e vendit Albin Kurti, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Në një postim në Twitter, Kurti ka thënë se është i nderuar me vizitën e parë shtetërore të presidentit maqedonas.
Ai ka thënë se së bashku me Pendarovskin do të punojnë për të forcuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor.
“I nderuar me vizitën e parë shtetërore të Presidentit të Maqedonisë së Veriut. Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe dhe ndajmë një perspektivë të përbashkët të BE-së me një angazhim të qartë ndaj aleancës transatlantike. Ne do të punojmë së bashku për të forcuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Nga ana e tij, presidenti Pendarovski ka konfirmuar mbështetjen e shtetit të tij për liberalizimin e vizave, rrugën e integrimit euro-atlantik të Kosovës dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, përderisa shfaqi rezerva për nisma rajonale, duke u shprehur se “Ballkani i Hapur” mund të jetë pjesë e Procesit të Berlinit, por jo ta zëvendësojë atë. /Reporteri.net/