Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimit në Bruksel me presidentin serb, Aleksandër Vuciq ka treguar katër propozimet që ka pasur pala kosovare.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në takimin me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Bruksel ka propozuar që Kosova dhe Serbia të nënshkruajnë deklaratë të paqes që këto vende nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën
Ndër propozimet që Kurti i ka pasur, është edhe që pas njohjes së ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Serbisë, vendet të kenë reciprocitete bilateral.
Për çështjen e të pagjeturve dhe të të zhdukurve me dhunë, Kurti tha se ka kërkuar të largohet nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq.
Këto janë 4 propozimet e Kurtit, tri të parat, ai tha se u refuzuan nga pala serbe:
1. Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avansojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në.
2. Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty.
3. Pas njohjes së ndërsjelltë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave këtu. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi.
4. Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq.