×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti për Asociacionin: S’ndërtohen shoqëritë demokratike duke privilegjuar ekskluzivisht e gjithmonë vetëm njërën pakicë

    Reporteri
    27 Dhjetor 2022 | 14:02
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

    Nuk është i mundshëm ndërtimi i një shoqërie demokratike nëse njëra [pakicë] është ekskluzivisht e privilegjuar gjatë tërë kohës, ka thënë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në intervistën për median boshnjake “Istraga” kur u pyet rreth (mos)formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, raporton gazeta online Reporteri.net.

    Kurti la të kuptohet se komuniteti ose pakica serbe është privilegjuar në Kosovë, por se një gjë e tillë s’duhet të jetë kështu. “Sepse privilegji ndaj dikujt do të thotë diskriminim ndaj dikujt tjetër”, tha ai, derisa edhe shtoi se “nuk e kemi veç një pakicë”.

    Kërkesën e Beogradit, që njëherit është edhe e vendeve të QUINT’it për themelimin e Asociacionit si marrëveshje e ratifikuar edhe në Parlamentin e Kosovës, e quajti “kërkesë kundër barazisë”.

    Këtë Asociacion, Kurti thotë se Beogradi dëshiron ta përdor si “armë kundër pavarësisë së Kosovës dhe jo si diçka që sjell përfitime për serbët e Kosovës”.

    “E kam thënë disa herë në Bruksel se e kam përshtypjen që Serbia nuk dëshiron Asociacion të komunave. Sepse, po ta donte njëmend, nuk do ta përsëriste çdo javë se kurrë s’do ta njohin Kosovën”, përcjell Reporteri.net.

    Një gjë e tillë, tha kryeministri, në njërën anë të kërkohet Asociacion dhe në anën tjetër të thuhet se “nuk do ta njohin kurrë pavarësinë e Kosovës” do të thotë “të kërkosh diçka me përmbajtje por pa formë”.

    “Nuk është e mundshme kjo”, theksoi Kurti.

    Kujtojmë se zv/ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë formimin e këtij Asociacioni e mori për punë që do të bëhet, teksa deklaroi edhe se ajo do të bëhet me ose pa pjesëmarrjen e qeverisë kosovare./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!