Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar për Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, 1 Maji.
Ai ka thënë se kanë rritur punësimin, dhe kjo ndikon që të zvogëlohet mundësia e shfrytëzimit.
Kurti tha se kanë ulur papunësinë dhe kanë rritur numrin e inspektimeve, që sipas tij kanë trefishuar numrin e inspektorëve dhe do të pesëfishojnë deri në fund të vitit.
Postimi i plotë i Kurtit në Facebook:
Edhe Kosova sikur më shumë se 100 vende të botës e shënon 1 Majin si ditë pushimi. Këtë ditë të lirë e kanë fituar vetë punëtorët. Sot shënohen përpjekjet dhe arritjet e vetë punëtorëve si lëvizje ndërkombëtare. Nën gjuhë e flamuj të ndryshëm por të bashkuar në klasë, në status pune e të punësuar, jemi rreth atyre që e mbajnë edhe shtetin edhe shoqërinë, me ata që jetojnë prej punës së vet.
1 Maji na rikujton të përbashkëtat që kanë punëtorët te ne, me punëtorët në botë.
Që prej fillimit të qeverisjes sonë po punojmë në dy kahje. Njëra është ajo e rritjes së punësimit, dhe, tjetra, është e punës me dinjitet. Duke u rritur punësimi, zvogëlohet mundësia e shfrytëzimit në punë, ngritet ekonomia, shtohet mirëqenia e gjallërohet shoqëria. Kjo është mundësia dhe efekti i atyre që punësohen, e vlefshme edhe për diçka tjetër të rëndësishme. Sa më shumë të punësuar zvogëlohet mundësia e shfrytëzimit e atyre që veçse janë në raporte pune. Sa më e ulët papunësia, ajo nuk mund të shërbejë si masë kërcënuese për ata që veçse janë të punësuar me mundësinë e zëvendësimit. Kahja e dytë është dinjiteti në punë. Në këto dy kahje, gjatë mandatit tonë tre herë i kemi rritur pagat në sektorin publik, kurse pagën minimale në sektorin privat dy herë – nga 135/170 në 264, e pastaj në 350 euro, kemi subvencionuar rritjen e pagës për 17 mijë punëtorë në sektorin privat e mbi 16 mijë të rinj mes moshës 18-29 vjeç janë punësuar përmes platformës qeveritare Superpuna, prej tyre më shumë se gjysma vajza dhe gra. Papunësinë e kemi ulur nga më shumë se 25% në më pak se 11%, e kemi rritur formalizimin e punësimit duke u ofruar kështu punëtorëve qasje në të drejtat e tyre që u takojnë me ligj, i kemi shtuar inspektimet sepse e kemi trefishuar numrin e inspektorëve të punës, dhe do ta pesëfishojmë deri në fund të vitit.
Ndërkaq, sindikatat tona duhet të jenë me më shumë punëtorë, e gjithnjë e më pak punëtorë pa sindikata. Dhe, ato të bëhen e të jenë pjesë aktive e rrjeteve të sindikatave në Evropë për më shumë solidaritet për njëri-tjetrin, organizim e mbrojtje të të drejtave dhe lirive të punëtorëve.
Përkundër progresit dhe përmirësimeve, nuk jemi ende aty ku duam e duhet të jemi, andaj puna, angazhimi dhe përkushtimi ynë për të rritur mirëqenien e qytetarëve përmes punësimit dhe mbrojtjen e punëtorëve në vendet e punës vazhdon.
Urime 1 Maji i punëtorëve!