Presidenti Hashim Thaçi dje njoftoi se mbledhjen e parë e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës do të mbahet më datë 24 dhjetor.
“Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në mbështetje të nenit 66 (3) dhe nenit 84 pika (3) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenit 6 të Ligjit Nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës (GZ, Nr. 47, 25 janar 2009), si dhe duke marrë parasysh Njoftimin e datës 27.11.2019, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (Nr. Protokolli të KQZ-së: 1846-2019, 27.11.2019), për certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të pranuar nga Zyra e Presidentit më 29.11.2019 (Nr. Prot.: 1608), sot më datën 11 dhjetor 2019, ka nxjerrë Vendimin Nr. 305/2019 për thirrjen e Mbledhjes së Parë të Legjislaturës së Shtatë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e cila do të mbahet me datën 24 dhjetor 2019, në orën 9:00”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Për caktimin e kësaj date ka folur sot kreu i VV-së, Albin Kurti, i cili ka thënë se Thaçi i ka dhënë më shumë kohë se që duhet partisë së tij dhe LDK-së për të arritur koalicionin.
“Presidenti i Kosovës e ka shtyrë në maksimum datën se kur do të mbahet mbledhja konstituive për legjislaturën e shtatë sepse datë e fundit ka qenë 26 dhjetori, na ka dhënë më shumë kohë se që na është dashur”, ka thënë sot Kurti në një konferencë për media.
Kujtojmë se në këtë mbledhje mund të konstituohet legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës, por vetëm nëse deri atëherë arrihet marrëveshja për koalicion në mes të VV-së dhe LDK-së, në të kundërtën pritet që konstituimi të shtyhet për mbledhjet tjera. Kjo pasi VV-së së cilës i takon e drejta për ta propozuar kryetarin e ri të Kuvendit, ka njoftuar më herët se nuk do ta bënte propozimin, nëse nuk do të kishte marrëveshje koaliconi paraprakisht me LDK-në. /Reporteri.net/