×
  • Lajme
  • Lajme / Vdekja e Kadaresë

    Kurti për vdekjen e Kadaresë: Arti dhe kultura shqiptare i kanë borxh të pamatshëm oqeanit të mendjes së tij

    Reporteri
    01 Korrik 2024 | 10:59

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas vdekjes së shkrimtarit më të madh shqiptar, Ismail Kadare, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

    Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti ka thënë se arti dhe kultura shqiptare i kanë borxh të pamatshëm oqeanit të mendjes së Kadaresë.

    Ne humbëm shkrimtarin më të madh të të gjitha kohërave, bota humbi shkrimtarin e saj më të madh të gjallë. Porsa hymë në gjysmën e dytë të vitit 2024, Kadare mbylli sytë përgjithmonë. Por sytë tanë kanë parë e do të shohin shumë më mirë për shkak të imagjinatës dhe dijes së Ismail Kadaresë. Kur ai mbyllte sytë në të gjallë të tij dhe mendohej për malet e Shqipërisë dhe greminat e historisë, teksa qëndiste mijëra faqe me shqipe të bukur si qiell, ne kolektivisht shikonim më qartë e dukeshim më mirë, mendonim më thellë e mësonim më shumë. Arti dhe kultura jonë i kanë borxh të pamatshëm oqeanit të mendjes së tij. Anija e romaneve të Kadaresë do të lundrojë pafundësisht, për aq sa bota do të ketë lexues dhe shqipja shqiptarë”, shkroi ai.

    Ndryshe, shkrimtari Kadare u nda nga jeta mëngjesin e sotëm në moshën 88-vjeçare.

    Ismail Kadare lindi më 28 janar 1936 Gjirokastër, ku përfundoi edhe arsimin e mesëm; më 1958 mbaroi degën e Gjuhës e të Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Më pas shkoi në Moskë me studime për dy vjet në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” (1958-1960).

    Kandidati për Nobel në Letërsi, njihet si një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë, ai shquhet kryesisht për prozë, por kontributi i tij shtrihet edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime.

    Kadare nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.

    Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilëve Çmimin “Man Booker International” më 2005, çmimin «Princesa de Asturias» për Artet më 2009 dhe Çmimin «Jeruzalem» më 2015. Viteve të fundit ai e ndan kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.

    Qëndrimet kritike janë të ndara nëse Kadareja duhet parë si disident apo si konformist gjatë regjimit komunist. Ai qe ndër zërat e pakët kritikë, por mendohet se kjo qe e mundur në sajë të mbrojtjes nga vetë diktatori Enver Hoxha.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!