×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti për vrasjen e 35-vjeçares shtatzënë: Dy shqiptarë më pak, do të jenë duke menduar armiqtë tanë

    Reporteri
    30 Nëntor 2022 | 20:07
    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti

    Kryeministri Albin Kurti ka reaguar për rastin e vrasjes makabre që u krye në oborrin e QKUK’së, ku u vra një 35-vjeçare shtatzënë. I dyshuar për vrasje është ish-bashkëshorti i saj.

    Kurti e ka quajtur këtë vrasje mizore, duke shtuar se kjo është e papranueshme dhe e padurueshme, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    “Vrasje mizore. U vra edhe një grua. Edhe kjo nga burri i saj. Në oborr të spitalit. Atje ku duhet të shërohen njerëzit. Në oborr të Klinikës Gjinekologjike. Atje ku lindin gratë. U shua një jetë që po sillte edhe një jetë tjetër. Gruaja ishte shtatzënë. Rreth 35 vjeç, as në gjysmë të jetës së saj. E fëmija që ajo donte ta lindte as nuk e filloi jetën. Vrasës mizor. Edhe një burrë që qëllon mbi gruan që duhej ta mbronte. Edhe një burrë që vret një grua. E cila tash është e jona, e të gjithë neve. Bashkë me foshnjen e palindur të saj. Dy qytetarë të Kosovës më pak, dy shqiptarë më pak, do të jenë duke menduar armiqtë tanë. E papranueshme dhe e padurueshme”, ka shkruar Kurti.

    Rastin për Gazetën Online Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

    Sipas Ahmetit, viktima është 35-vjeçare.

    “Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35 vjeç. Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje. Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes”, ka thënë Ahmeti.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!