Kryeministri në detyrë i Kosovës publikoi në rrjetin socail Facebook një kërcënim që ka ardhur nga “Garda Vullnetare Shqiptare” në adresë të tij. Ai thotë se kërcënimi ndaj tij është kërcënim edhe ndaj Gjykatës Kushtetuese nga e cila po pritet një vendim për çështjen e mandatarit të ardhshëm për qeveri deri më datën 29 maj.
Kurti e editoi postimin e tij fillestar duke fshirë një pjesë të tekstit.
“Pyetjet e njëanshme që thuhet se janë bërë nga Gjykata Kushtetuese në Forumin e Venedikut shpresojmë se janë lajm i rremë. Ndërkaq, ‘dokumentet’ në 3800 faqe nga koha e shkrimit të Kushtetutës, të humbura për vitin 2014 e të ‘gjetura’ tani, e kanë pasur afatin e skadencës porsi regjimi i vjetër – 6 tetor 2019!”, shkroi Kurti në shkrimin e parë.
Ndërsa, në shkrimin e dytë, këtë pjesë Kurti e fshiu, duke lënë vetëm shkrimin e mëposhtëm: “Kërcënimi ndaj meje nga e ashtuquajtura “Garda Vullnetare Shqiptare”, në fakt, nuk është ndaj meje. Ky është kërcënim ndaj Gjykatës Kushtetuese, në veçanti, ndaj Kryetares së Gjykatës, znj. Arta Rama-Hajrizi dhe Gjyqtarit Raportues të çështjes KO 72/20, z. Nexhmi Rexhepi. Nuk ka shpjegim tjetër”.
Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, shpjegoi përmes facebook-ut se pse Kurti editoi postimin e tij.
“Sot lajm është kërcënimi ndaj Kryeministrit. Statusi është ndryshuar për shkak se asistenti personal i tij e ka postuar një version më të vjetër. Në lidhje me Forumin e Venedikut dhe ‘dokumentet’ nga koha e shkrimit të Kushtetutës, Kryeministri e ka lënë të merret në një postim të veçantë më vonë. Edhe njëherë, Kryeministri i Republikës së Kosovës është kërcënuar me jetë.”, ka thënë ai.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.