Kryeministri Albin Kurti është shprehur optimist se nesër do të zgjidhet Presidenti, shkruan Reporteri.net.
Seanca për zgjedhjen e Presidentit që u ndërpre sonte, do të vazhdojë nesër në ora 10:00.
“Unë jam përplot shpresë ju e dini, nesër në ora 10:00 vazhdon seanca”, tha Kurti.
Për këtë pozitë janë propozuar Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.
Para se Haxhiu ta ndërprente seancën sonte, u mbajtë një votim jokushtetues me vetëm 64 deputetë në sallë.
63 vota ishin për kandidaten Feride Rushiti, ndërsa Hatixhe Hoxha nuk mori asnjë votë.
“Në votim kanë marrë pjesë 64 deputetë, një votë e pavlefshme. Për znj.Feride Rushiti kanë votuar 63 deputetë, ndërsa për znj.Hatixhe Hoxha zero”, tha Kryetari i Komisionit, Salih Zyba.
Edhe sipas Kushtetutës, edhe sipas Aktgjykimit të Kushtetueses, nevojiten 80 deputetë në sallë që të fillojë raundi i parë i votimit.
Votimi për president bëhet me votim të fshehtë.
Në rundin e parë dhe të dytë kërkohen dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Ndërkaq në rundin e tretë kërkohen 61 vota për president.
Nesër në mesnatë përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit. Në rast se nuk zgjedhet, vendi shkon në zgjedhje./Reporteri.net