×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti premtoi reciprocitet të plotë, po e bën të pjesshëm

    Reporteri
    31 Mars 2020 | 21:48

    Kryeministri Albin Kurti megjithatë nuk e ka mbajtur fjalën sa i përket reciprocitetit me Serbinë.


    Ai, në një konferencë, para pak orëve njoftoi se nga sonte hiqet taksa e fillon vendosja graduale e reciprocitetit. Dhe pikërisht të vendosja graduale qëndron shkelja e premtimit të tij, shkruan Reporteri.

    Kurti kishte premtuar një reciprocitet të plotë, por po e bën gradual.

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka konfirmuar se anëtarët e kabinetit qeveritar me 10 vota për kanë votuar për reciprocitet ndaj Serbisë.

    Kurti  deklaroi se ky vendim ka të bëjë me zbatimin gradual të reciprocitetit si parim në marrëdhëniet me Serbinë.

    “Në marrëdhëniet tregtare me Serbinë, emërtimet e përdorura në dokumentet si në vijim duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi. Certifikatat fitosanitare dhe dokumentacioni shoqërues për produktet ushqimore dhe joushqimore me prejardhje bimore dhe joshtazore që iu nënshtrohen kontrolleve në kufi, dhe së dyti, certifikata veterinare dhe dokumentacioni shoqërues për produktet ushqimore dhe joushqimore që i nënshtrohen kontrollit veterinar në kufi”, ka deklaruar Kurti.

    Ky vendim mbetet në fuqi deri më 15 qershor, deri atëherë mund të shofim si ka ecur mbarëvajtja e këtij vendimi.

    Por Kurti nuk kishte premtuar të njëjtën gjë para disa ditëve. Në një intervistë për Zërin e Amerikës ai kishte thënë se reciprociteti do të vendosej i plotë.

    Ekziston një rezolutë e Kuvendit të Republikës së Kosovës për reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar me Serbinë, e datës shtatë dhjetor 2011 dhe ne dëshirojmë që ta kemi këtë reciprocitet si parim normal të marrëdhënieve të mira fqinjësore e bilaterale, dhe dëshirojmë që me këtë rast ta zëvendësojmë tarifën 100 për qind. Ajo i ka dy aspekte; aspektin politik dhe ekonomik. Aspekti politik më shumë i korrespondon shkakut dhe shkasit. Shkaku ishte fushata agresive e Serbisë në arenën ndërkombëtare kundër Kosovës, ndërkaq shkasi ishte mos anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL, madje edhe shumë faktorë ndërkombëtarë e theksojnë që Serbia duhet ta pushojë fushatën kundër njohjeve të Kosovës. Ndërkaq, është edhe aspekti ekonomik me ç’rast meqenëse ajo tarifë u vendos shpejt e shpejt me siguri që bëhet fjalë për një mungesë përfitimi për prodhuesit vendës, ashtu që sot ekonomikisht nga tarifa 100 për qind ndaj Serbisë më së shumti kanë përfituar disa shtete të rajonit, prandaj unë dëshiroj që të mbaj një takim me komunitetin e biznesmenëve prodhues në Kosovë dhe ta diskutojmë edhe aspektin ekonomik të kësaj tarife e jo vetëm atë politik”, kishte thënë Kurti.

    E kur ishte pyetur se ‘A do të shkoni së pari me reciprocitet pastaj me largimin e tarifave apo si do të veproni?’, Kurti u përgjigj:

    “Ashtu kemi deklaruar në fushatën zgjedhore sepse ashtu kemi menduar e besuar dhe ne me ato deklarime e qëndrime kemi fituar dhe natyrisht që tash duhet t’i dalim zot qytetarëve për mbështetjen e tyre. Ne duam që tarifën njëqind për qind ta zëvendësojmë, pra të mos kemi situatë në të cilën nuk e kemi as tarifën as reciprocitetin”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!