×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti: Propozimi evropian parasheh njohjen de-facto, por nuk është propozim për marrëveshje finale

    Reporteri
    15 Shkurt 2023 | 22:49
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

    Kryeministri Albin Kurti ka komentuar propozimin evropian për arritjen e një marrëveshjeje në kuadër të dialogut me Serbinë.

    Kurti tha se ky propozim i BE-së nuk është i menduar për marrëveshje finale, por më tepër për të siguruar normalizim pasi deklaroi se brenda e ka njohjen de-facto nga Serbia, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    “Nuk është i menduar si një propozim për marrëveshje finale. Por është një normalizim që ende nuk është normalizim i plotë, meqenëse parasheh, mund të themi, njohjen de facto. Njohjen de facto e kemi aty”, tha Kurti në TV Klan.

    “Është më tepër një marrëveshje bazike, e cila bën normalizim e marrëdhënieve, jo normalizim të plotë. Me marrëveshje që është ligjërisht dhe ndërkombëtarisht e obligueshme, ndonëse jo finale”, tha tutje ai.

    Kreu i ekzekutivit foli edhe për ecurinë e propozimit, ku parimisht tha se diplomatët ishin më të hapur për kompromise, kurse së fundmi është kthyer në formatin “mere ose lëre”.

    “Herën e parë kur na e kanë sjellë më datë 9 Shtator, nuk ka qenë merre ose lëre. Ndërkaq më datën 20 janar, për shkak se kishin kaluar shumë kohë, për bindjen time pa nevojë, kemi mundur që të takohemi më shpesh, më herët, të bëjmë më shumë, ishte shumë afër merre ose lëre. Prandaj unë siç kam thënë edhe në Shtator, e përsërita në Janar, që është bazë e mirë për diskutime të mëtejshme”.

    Ai shtoi se ende ka elemente që duhet diskutuar, por që është pranuar fillimisht si bazë e mirë dhe që negocimet vazhdojnë.

    “Ne e pranojmë në parim, duhet të negociojmë dhe më pas duhet ta shndërrojmë atë propozim në marrëveshje sepse ka shumë gjëra ende të padefinuara. Sidomos sa i përket garancive ndërkombëtare, mekanizmave implementues, dhe sekuencimin kohor”, tha Kurti.

    Kryeministri Kurti po ashtu theksoi se propozimi evropian merr elemente të shumta të marrëveshjes mes dy Gjermanive. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!