×
  • Lajme
  • Lajme / Lojërat Mesdhetare

    Kurti publikon foto me Ramën: Kur bëhemi bashkë, edhe punët janë më të mira edhe e rritin imazhin e kombit shqiptar

    Reporteri
    20 Dhjetor 2024 | 20:50

    Kryeministri Albin Kurti ka publikuar fotografi nga ceremonia e nënshkrrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.

    Kurti ka publikuar foto me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, nga kjo ceremoni, teksa ka thënë se kur bëhen bashkë, punët janë më të mira dhe e rrisin imazhin e kombit shqiptar, shkruan Reporteri.net.

    “Kur bëhemi bashkë, edhe punët janë më të mira edhe e rritin imazhin e kombit shqiptar, kësaj radhe duke e dëshmuar institucionalisht traditën tonë të mirënjohur të mikpritjes edhe në organizimin e ngjarjeve të mëdha sportive ndërkombëtare.

    Sot në kryeministri, pas seancës së përbashkët ndërmjet dy kuvendeve tona, me Kryeministrin Rama nënshkruam Marrëveshjen e Bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030”, ka shkruar Kurti.

    Ndryshe, Kuvendet e Kosovës dhe Shqipërisë e mbajtën të premten një seancë të përbashkët parlamentare në Prishtinë, ku u zotuan përmes një deklarate përfundimtare se do ta ndihmojnë njëra-tjetrën në arenën ndërkombëtare dhe do ta thellojnë bashkëpunimin mes vete.

    Gjatë seancës që zgjati tri orë, liderët e të dyja vendeve mbajtën fjalime para deputetëve të pranishëm nga të dyjave vendet, ku mbështetjen e ndërsjellë për njëra-tjetrën dhe lartësuan lidhjet historike mes dy vendeve.

    Deklarata e tyre e përbashkët, e cila u lexua nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, thekson se qëllimi i mbledhjes ishte që Kosova dhe Shqipëria ta bashkërendonin “agjendën kombëtare” për arritjen e synimeve të përbashkëta strategjike.

    “Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkim Evropian brenda kësaj dekade, integrimi euroatlantik i Kosovës, pra në NATO dhe BE, dhe njohjet përfundimtare të Kosovës si realitet i pakthyeshëm gjeopolitik, mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve”, thuhet në deklaratë.

    Deklarata shprehu shqetësimin pse BE-ja nuk e ka marrë parasysh ende kandidaturën e Kosovës për anëtarësim në BE, si dhe u bën thirrje pesë vendeve të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë këtë.

    “Dy kuvendet mbështesin dhe kërkojnë angazhim serioz për ta çuar përpara procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi në bashkëpunim të ngushtë me BE-së dhe Shtetet e Bashkuara, për ta finalizuar një marrëveshje për njohje të ndërsjellë”, thuhet në deklaratë.

    Deklarata gjithashtu i dënoi sulmet e 24 shtatorit 2023 në Banjskë në veri të Kosovës, dhe shpërthimin në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në veri. Ajo i bëri thirrje Serbisë të ekstradojë në Kosovë Millan Radoiçiqin, i cili mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë ku mbeti i vrarë një rreshter policor.

    Kjo ishte mbledhja e parë mes këtyre dy kuvendeve në Prishtinë, ndërsa e dyta në përgjithësi asaj që mbajt dy vjet më parë në Tiranë, me rastrin e shënimit të 110-vjetorit të Pavarësisë.

    Krejt çfarë u tha në seancën e përbashkët mes kuvendeve të Kosovës dhe Shqipërisë

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!