Kreu i VV-së, Albin Kurti ka publikuar një hartë të Kosovës se si duket pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, me votat që secila parti ka marrë nëpër Kosovë.
Sipas Kurtit rezutlati në zgjedhjet nacionale, duhet të shërbejë për përgatitje për zgjedhjet lokale në vjeshtë.
“Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve parlamentare, kështu duken renditjet dhe përqindjet e subjekteve nëpër komuna. Hartë që duhet të na shërbejë edhe në përgatitjet për zgjedhjet lokale në vjeshtë”, ka shkruar Kurti.
Më 2021, pavarësisht se siguroi mbi 50% të votave në zgjedhjet parlamentare, Vetëvendosje nuk arriti që këtë rezultat ta përkthejë edhe në ato lokale që u mbajtën më pas.
Këtë javë, KQZ-ja ka bërë certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke i hapur kështu rrugën krijimit të institucioneve të reja.
Sipas rezultatit përfundimtar, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me mbi 390 mijë vota apo 42.30 për qind.
E dyta është Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me mbi 190 mijë vota, apo 20.95 për qind, pasuar nga LDK-ja me mbi 170 mijë vota, apo 18.27 për qind.
Në vendin e katërt është koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Social-Demokrate me mbi 66 mijë vota apo 7.06 për qind dhe Lista Serbe ka siguruar mbi 39 mijë vota apo 4.26 për qind.
Sipas rezultateve, VV-së i takojnë 48 ulëse në Kuvend, PDK-së 24, ndërsa LDK-së 20 ulëse, AAK-NISMA me 8 deputetë dhe Lista Serbe 9 sosh./Reporteri.net/