Kryeministri, Albin Kurti në ditën e tij të dytë në postin e kryeministrit është takuar me Shefen e BE-së në Kosovë, Natalia Apostolova.
Kurti në një konferencë për media pas përfundimit të takimit ka thënë se Kosova mbetet e përkushtuar në rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian.
Kurti ndër të tjera ka folur edhe për vendimet e Qeverisë Haradinaj pas datës 19 korrik, kur ai dha dorëheqje nga posti i kryeministrit të vendit.
Kurti ka thënë se të gjitha këto vendime që janë marrë nga data 19 e tutje do të rishqyrtohen.
“Të gjitha vendimet që janë marrë pas datës 19 korrik nuk mund ta kenë statusin e njëjtë sikurse vendimet para kësaj date. Qeveria do ta bëjë një rishqyrtimin të të gjitha këtyre vendimeve para dorëheqjes së kryeministrit. Nuk besojmë se vendimet dhe emërimet e mëpastajme e kanë statusin e pëlqyeshëm nëse bazohemi në shtetndërtimin demokratik dhe ligjor”, ka deklaruar Kurti, shkruan Reporteri.net.
I pyetur Kurti për emërimet e shefit të AKI-së, Kreshnik Gashi dhe inspektorit të Përgjithshëm të AKI-së, Burim Ramadani, ai nuk ka treguar nëse do të shkarkohen ata.
“Dorëheqja është akt moral dhe nuk besojmë që vendimet e emërimet e kanë statusin e pëlqyeshëm nëse respektojmë marrëveshjen dhe shtet ndërtimin demokratik”, ka deklaruar ai. /Reporteri.net/.