×
  • Lajme
  • Lajme / Konsultimi për zgjedhjet

    Kurti refuzon takimin me presidenten Osmani, delegon Konjufcën

    Autor:Gent Mehmeti
    30 Korrik 2024 | 14:26

    Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka refuzuar të marrë pjesë në takimin e thirrur nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani për konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve, mëson gazeta online Reporteri.net.

    Burimet e gazetës online Reporteri.net kanë thënë se Kurti është kryetari i vetëm nga partitë politike që ka refuzuar të marrë pjesë në këtë takim që do të mbahet të martën më 31 korrik. Kurti në këtë takim e ka deleguar nënkryetarin e partisë, Glauk Konjufcën.

    Gazeta online Reporteri.net merr vesh se ftesa ka qenë vetëm për kryetarët e subjekteve politike dhe jo për nënkryetarët. Të njëjtat burime kanë thënë se kryeministri Kurti do të kthehet të martën në mbrëmje (sot) nga Parisi.

    Pozitivisht ftesës së Osmanit i është përgjigjur edhe PDK-ja. Nëpërmjet Sekretares së Përgjithshme, Vlora Çitakut, në një konferencë për medie të mbajtur të shtunën më 27 korrik, ajo theksoi se ftesa nuk ndërlidhet me zgjedhjet e parakohshme, pasi një gjë të tillë ka kohë që e kërkon PDK-ja.

    “PDK e ka pranuar ftesën e presidentes Osmani për një takim rreth përcaktimit të datës së zgjedhjeve. Sigurisht që ne do t’i përgjigjemi ftesës, e kemi obligim kushtetues dhe ligjor që të marrim në një takim të tillë. Ju e dini mirë që PDK-ja që nga korriku i vitit të kaluar ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, mirëpo ftesa e presidentes Osmani nuk ndërlidhet me inicimin e zgjedhjeve të parakohshme por me përcaktimin e datës për zgjedhje të rregullta dhe ne do të marrim pjesë aty dhe qëndrimin për këtë çështje dhe datës e preferuar do ta themi aty”, kishte thënë Çitaku.

    Edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë konfirmuar të shtunën për Reporteri.net se do të marrin pjesë në takimin e ftuar nga presidentja Osmani.

    “Ju konfirmoj që kryetari Abdixhiku ka pranuar ftesën si dhe të mërkurën në takim do jep qëndrimet e LDK-së”, ka thënë zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, për Reporteri.net.

    Pjesëmarrjen në këtë takim me presidenten Osmani e konfirmoi edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

    “Mund të ju konfirmoj që AAK do të marrë pjesë në takimin konsultativ të thirrur nga Presidentja për caktimin e datës së zgjedhjeve të rregullta”, tha Kushtrim Xhemajli, zëdhënës i kësaj partie.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ftuar zyrtarisht liderët e partive politike që t’i takojë më 31 korrik për konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve.

    Presidentja u ka dërguar një letër liderëve të partive, në të cilën ka shkruar se bazuar në Kushtetutë dhe Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, zgjedhjet duhet të mbahen përgjatë periudhës 26 janar- 16 shkurt 2025.

    “Në këtë drejtim, bazuar në kompetencat e mia kushtetuese për shpalljen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ftoheni në takim konsultativ më 31 korrik 2024, në orën 14:00, në Sallën S301, në Ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e presidentes drejtuar partive politike.

    Ftohja e marrëdhënieve

    Burimet kanë thënë se Kurti është takuar me presidenten Osmani gjatë ceremonisë së hapjes së Lojërave Olimpike, mirëpo në postimet e tyre nga takimet që kanë pasur me liderë shtetërorë, nuk janë publikuar fotografitë nga takimi që kanë pasur në Paris.

    Ndërkaq, në fillim të muajit korrik është mbajtur Samiti i NATO-s në Washington. Në këtë samit ka marrë pjesë presidentja Osmani, teksa kryeministri Kurti është marrë me korrjeshirje në Kosovë.

    Në margjina të këtij samiti, Osmani është takuar me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, ndihmës-sekretarin e Shtetit, Jim O’Brien, Presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq, Presidentin e Bullgarisë, Dimitar Glavcheh, Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, si dhe me senatorë dhe kongresistë. Osmani është duartrokitur nga Blinken, gjatë fjalimit që ai mbajti në Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, për të cilin edhe e ftoi Osmanin.

    Kjo është vërejtur edhe në marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së.

    Përplasja e zyrtarëve të lartë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti ishte e dukshme sivjet në lidhje me çështjen e ndalimit të dinarit në Kosovë. Në muajin mars, Escobari zhvilloi vizitë zyrtare dyditore në Kosovë. U shfaq shumë i afërt me presidenten Vjosa Osmani. Me të, mbajti konferencën e përbashkët teksa Osmanin e quajti “gardiane të marrëdhënieve Kosovë-SHBA”.

    Këtë mesazh e përçoi vetëm një ditë para se të takohej me Kurtin më 15 mars. Qasjen që kishte me Osmanin, Escobari nuk e pati me kryeministrin. Ani pse qëndroi dy orë në takim, në fund zëvendësndihmës Sekretari i SHBA-së doli në konferencë vetëm me ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier.

    Escobar e përsëriti edhe nga Prishtina se marrëdhëniet Kosovë-SHBA ishin duke u sfiduar nga Kurti.

    Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kishte deklaruar se SHBA-ja është e zhgënjyer me qeverinë e udhëhequr nga Vetëvendosja e Kurtit.

    “Nuk është hera e parë, këtë ua them. Dhe, ka shumë zhgënjim me këtë Qeveri të Vetëvendosje – jo vetëm në Uashington, por në Bruksel, në Romë, Berlin dhe Paris gjithashtu. Ne, përderisa i afrohemi 25-vjetorit të aksionit të NATO-s, është e rëndësishme që njerëzit ta kuptojnë që forca e marrëdhënies ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është mes njerëzve”, kishte thënë Escobar.

    Kishte shtuar se “Ne gjithmonë do të jemi miq të ngushtë të Kosovës, por kjo nuk do të thotë se nuk do të kemi dallime me individë dhe me qeveri individuale”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!