×
  • Lajme
  • Lajme / E fundit

    Kurti: Serbia mund të nxisë incidente në Gazimestan për Vidovdan, grupe serbësh po organizohen që të vijnë në Kosovë

    Reporteri
    27 Qershor 2025 | 12:45

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e sotme të qeverisë ka thënë se nga institucionet e sigurisë kanë informacione që  se ka përpjekje nga ana e pushtetit në Serbi, që nesër, ditën e Vidovdanit të shfrytëzojë elemente destruktive për të nxitur incidente në Gazimestan, shkruan gazeta onlien Reporteri.net.

    Kurti tha se grupe serbësh nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë e Herecegovina janë organizuar që të vijnë në Kosovë nesër. Kurti tha se pushteti i Vuçiqit në Serbi do të tentojë ta përdorë festën e  Vidovdanit për të nxitur incidente, në mënyrë që ta zhvendosë vëmendjen nga protestat anti-regjim në Beograd.

    Ai u bëri thirrje serbëve të Kosovës që të mos lejojnë të shfrytëzohen për qëllime politike.

    “Në fundjavë shënohet dita e Vidovdanit  e cila ndonëse ditë me karakter fetar vazhdimisht është përcjellë me retorikë nxitëse e kërcënuese për sigurinë publike nga ana e Serbisë. Beogradi zyrtar që po përballet gjithandej me protesta të studentëve dhe jo vetëm, po përpiqet ta zhvendosë vëmendjen diku tjetër, e në këtë përpjekje për të ulur përmasat e protestës antiregjim dhe antikombëtare në Serbi, pushteti atje mund të shfrytëzojë elemente desktrukive për të nxitur incidente në Gazimestan. Sipas vlerësimeve të institucioneve të sigurisë dhe të inteligjencës kemi informata se ka përpjekje që tubimi në Gazimestan të jetë sa më masiv, prandaj janë organizuar grupe serbësh nga Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina që të vijnë në Kosovë nesër. Tradicionalisht grupe të tilla kanë qenë provokuese duke bartur simbole nacionaliste serbe që bien në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. U bëjmë thirrje të gjithë bashkëqytetarëve tanë, sidomos nga radhët e komunitetit serb që të respektojnë ligjin dhe të mos lejojnë të keqpërdoren për qëllime politike. U bëjmë thirrje edhe bashkatdhetarëve tanë që të mos bien pre e provokimeve nga kushdoqoftë në ditën e nesërme. Tubimet për shënimin e Vidovdanit duhet të organizohen në përputhje me ligjin”, tha Kurti. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!