Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë sot se nuk kanë asnjë informacion për destabilizim të situatës në veri për shkak të zgjedhjeve me 23 prill.
Ai është shprehur se Serbia përmes propagandës po tenton t’i frikësojë serbët lokalë në veri që të mos marrin pjesë në zgjedhje.
Mirëpo, ai u ka bërë thirrje të gjithë serbëve të Kosovës në veri që të dalin në zgjedhje.
Kurti ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi, me ç’rast, ka kërkuar zbatim të plotë të marrëveshjes bazë me Serbinë, raporton Kosovapress.
Këto komente Kurti i ka bërë pas vendosjes së gurëthemelit të objektit të Agjencisë Kadastrale të Kosovës.
Të dielën, Kryeministri Kurti takoi katër kandidatët e subjektit të tij për kryetar të komunave në veri të Kosovës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Në takim, Kurti ka qenë së bashku me disa ministra dhe deputetë të partisë.
Kurti si Kryeministër ndau besimin e tij që ky proces zgjedhor do të kaloj ashtu siç duhet dhe i ka hije një procesi demokratik, qetë e pa incidente, me pjesëmarrje të lirë e të lartë të qytetarëve në komunat veriore, shkruan Reporteri.net.
Më 23 prill do të mbahen zgjedhjet lokale për komunat në veri të cilat mbeten pa kryetar si shkak i dorëheqjes së Listës Serbe nga institucionet. /Reporteri.net/.