×
  • Lajme
  • Lajme / Seanca solemne

    Kurti: Serbia rri e rreshtuar kah Rusia, ne kemi forcuar lidhjet me SHBA-në e Evropën

    Reporteri
    12 Qershor 2024 | 11:05

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Serbia po rri e rreshtuar kah Rusia, e sipas tij, Rusia “qëndron prapa qëndrimeve të Serbisë”.

    Në seancën solemne në Kuvendin e Kosovës për nder të përvjetorit të Ditës së Çlirimtare, Kurti është shprehur se Kosova e ka synim Bashkimin Evropian si familje politike, e NATO-n si destinim ushtarak.

    “Nga kjo histori duhet të nxirren mësime e kjo kuptohet nga rreshtimi gjeopolitik e gjeostrategjik. Serbia po rri e rreshtuar kah Rusia, si Rusia që qëndron prapa qëndrimeve të Serbisë. Populli ynë e Shqipëria në vazhdimësi i kanë forcuar lidhjet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) e me vendet e tjera evropiane. Bashkimi Evropian është familja e synuar politike, e NATO-ja destinimi ynë ushtarak”, ka deklaruar Kurti.

    Kreu i ekzekutivit është shprehur para të pranishmëve se Kosova dëshiron marrëdhënie të mira e njohje reciproke me vendet fqinje “pa sulme e agresione”.

    “Sot, me vetëdijen politike e kujtesën kolektive kujtojmë 12 qershorin. Kurrë më të vendosur s’kemi qenë për të mbrojtur lirinë dhe pavarësinë me çdo kusht. Urime 25 vjetorin me nderime e mirënjohje”, ka thënë ai.

    Kurti tutje ka falënderuar vendet mike për kontributin e dhënë në çlirimin e Kosovës.

    “Të bashkohemi fizikisht e shpirtërisht si jemi bashkuar sot në sheshet e qyteteve me qytetarët tanë për të shënuar një ngjarje historike që na e ka sjell të tashmen dhe na e ka përcaktuar të ardhmen”, ka thënë Kurti.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!