Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka refuzuar edhe sot të tregojë nëse do t’i përgjigjet ftesës së Prokurorisë Speciale për të dhënë dëshminë e tij.
Pas përfundimit të aktivitetit ku u publikuan rezultatet e para të regjistrimit të popullsisë ngjarje në të cilën fjalim mbajti edhe kryeministri Kurti, ai zgjodhi të mos deklarohej jashtë kur gazetarët insistuan të kishin një përgjigje për këtë çështje.
Edhe gjatë ditës së djeshme, Kurti ka refuzuar të deklarohet në lidhje me ftesën për intervistim lidhur me skandalin e rezervave shtetërore, në cilësinë e dëshmitarit, që ka marrë nga Prokuroria Speciale dhe mospërgjigjen ndaj saj.
“Jam duke shkuar në mbledhje të Qeverisë”, ka thënë Kurti nxitimthi të mërkurën.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mori thirrjen për intervistim si dëshmitar nga Prokuroria Speciale të enjten e 12 dhjetori, për t’u paraqitur pranë këtij institucioni gjatë të hënës.
Kurti të hënën nuk u paraqit në Prokurorinë Speciale.
Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se prokurorët e rastit janë njoftuar se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti s’mund të ishte i pranishëm të hënën për intervistim pranë Prokurorisë Speciale, për shkak të agjendës së tij jashtë vendit.
Në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net, zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu tha se Kurti është shprehur i gatshëm që t’i mirëpres në zyrë prokurorët e rastit për ta intervistuar atë, në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dyja palët.
“Prokuroria Speciale, përkatësisht prokurorët e rastit janë njoftuar se për shkak që kryeministri është jashtë vendit me agjendë të konfirmuar kohë më parë, ai nuk mund të jetë i pranishëm sot sipas ftesës së prokurorisë. Megjithëkëtë, kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpres prokurorët e rastit në zyren e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dy palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e prokurorisë”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë për Reporteri.net.
Në thirrjen e Prokurorisë ishte qartësuar se në rast të mosparaqitjes të paarsyeshme, do ta detyrojnë atë të paraqitet dhe do të ketë gjobë 250 euro.
Lidhur me thirrjen që Qeveria e Kosovës kishte pranuar të enjten e kaluar, zëdhënësi i saj, Përparim Kryeziu kur dhe e publikoi atë në llogarinë e tij në Facebook, e cilësoi këtë thirrje të Prokurorisë Speciale si tentim ndikimi në rezultatin zgjedhor 2025.
Kurti, i ftuar në cilësinë e dëshmitarit, do të intervisohet për skandalin me Rezervat Shtetërore dhe se vepra penale për të cilën është ftuar hynë tek ato të korrupsionit zyrtar, saktësisht Neni 414 “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Kryeministri Kurti i ftuar në cilësinë e dëshmitarit, do të intervisohet për skandalin me Rezervat Shtetërore dhe se vepra penale për të cilën është ftuar hynë tek ato të korrupsionit zyrtar, saktësisht Neni 414 “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Për skandalin me rezervat shtetëtore, në gushtin e vitit të kaluar kishte pasur edhe të arrestuar, ndërsa për intervistim ishte ftuar edhe Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, e cila në cilësinë e të pandehurës, ishte mbrojtur në heshtje. /Reporteri.net/
Kurti i fton prokurorët në zyrën e tij që ta intervistojnë “në një ditë dhe orë të dakorduar”