Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka shkruar për sistemin raketor të cilin Serbia e posedon aktualisht, transmeton Reporteri.net.
Kryeministri Kurti tutje ka thënë se Serbia është furnizuar me armë kineze.
Një gjë e tillë, kryeministri vlerëson se është haptazi agresion i dhunshëm ndaj Kosovës.
“Sistemi raketor FK-3 (versioni eksportues i HQ-22) është një nga armët kineze të përdorura nga Ushtria Serbe, duke përfshirë edhe dronët CH-92. Kjo e bën Serbinë operatorin e parë dhe të vetëm të armëve kineze në Evropë duke shfaqur hapur agresion të dhunshëm ndaj Kosovës” ka shkruar Kurti në platformën X.
The missile system FK-3 (export version of HQ-22) is one of the Chinese weapons used by the Serbian Army, including CH-92 drones. This makes Serbia the first and only operator of Chinese weapons in Europe while openly showing violent aggression towards Kosova.
— Albin Kurti (@albinkurti) November 21, 2023
Kujtojmë se për sigurinë në rajon e më gjerë ka ardhur në vizita Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Stoltenberg tha në Prishtinë më 20 nëntor se aleanca po shqyrton nëse duhet të ketë një shtim të përhershëm të pranisë së saj ushtarake në Kosovë, pas shpërthimit të dhunës në shtator.
“Tani ne po shqyrtojmë nëse duhet të kemi shtim të përhershëm për t’u siguruar që kjo të mos dalë jashtë kontrollit dhe të krijojë ndonjë dhunë në Kosovë, apo në rajonin e gjerë. Ne do të bëjmë atë që është e nevojshme. Aktualisht, ne jemi duke shqyrtuar rregullimet rreth pranisë sonë”, tha ai në një konferencë për media me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Gjatë vizitës në Prishtinë, e cila është në kuadër të një turi ballkanik, Stoltenberg tha se shtimi i pranisë ushtarake në Kosovë me 1.000 trupa – që përbën vendosjen më të madhe në vitet e fundit të aleancës – tregon se sa seriozisht e merr aleanca dhunën që shpërtheu muajve të fundit në Kosovë.
“Ne, vërtet, po investojmë në sigurinë e këtij rajoni, sepse siguria e njerëzve në këtë rajon, stabiliteti në këtë rajon, ka rëndësi për sigurinë tonë”, tha ai.
Shefi i NATO-s tha se aleanca është duke kryer një shqyrtim të pranisë ushtarake “që përfshin Bosnje dhe Hercegovinën dhe po ashtu Kosovën”.