Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se pa dorëzimin e Milan Radoçiqit dhe grupit paramilitar serb që kryen sulmin terrorist në Banjksë të Zveçanit, më 24 shtator të vitit të kaluar, nuk mund të ketë mirëbesim në dialogun me Serbinë, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Kurti këtë deklaratë e bëri në mbledhjen e Qeverisë teksa foli për takimin e së mërkurës në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve, ku shefi i ekzekutivit kosovar, nuk pranoi të takohej me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq pa u bërë formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve; tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023, dhe dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës.
Kurti tha se këto kërkesa të garancisë, në fakt janë mburojë për vetë marrëveshjen bazike, të cilën tha se Serbia vazhdimisht po e sulmon.
“Të mërkurën u mbajt takimi i radhës në Bruksel. Ky ishte takimi i parë i nivelit ët lartë pas sulmit terrorist në Banjskë nga një grup paramilitar serb me mbështetjen dhe financimin e shtetit të Serbisë. Nëntë muaj nga sulmi kryeterroristi Milan Radoiçiq është ende i lirë në Serbi dhe mbrohet nga Serbia. Ne nuk mund ta ngjallim heroin tonë, Afrim Bunjaku, por Serbia duhet t’ia dorëzojë Kosovës grupin paramilitar që kreu sulmin terrorist me në krye me Radoiçiqin që të përballen me drejtësi në Kosovës. Është arritur që grupi i terroristëve të kërkuar për sulmin në Banjskë të hyjë në sistemin e urdhërarresitit ndërkombëtar. 39 persona të atij grupi ndodhen në listën e Interpolit. Për aq kohë sa grupi i Rdoiçiqit është i lirë dhe i mbrojtur në Serbi, nuk ka mirëbesim në dialogun për normalizim. Në shkurt të vitit të kaluar u dakorduam për Marrëveshjen Bazike, e cila u shpall si ligjërisht e obligueshme nga Borrell. Ne e kemi pranuar marrëveshjen dhe kemi kërkuar disa herë që e njëjta të formalizohet me nënshkrim dhe deponim në OKB. Me besimin në dialog dhe zbatim të marrëveshjes është humbur edhe me letrën që Bërnaqbiq deponoi te shërbimi i jashtëm në BE, ku Serbia zotohet se nuk e konsideron të pranueshme marrëveshjen bazike. Ajo letër duhet të tërhiqet. Vetëm nënshkrimi garanton zbatim të marrëveshjes. Në tri takime bilaterale, të mërkurën ne paraqitëm tri këto kërkesa të garancisë, që në fakt janë mburojë për vetë marrëveshjen bazike. Vuçiq nuk ishte i gatshëm ta respektojë asnjërën. Ne jemi për dialog për normalizim dhe duam normalizim të marrëdhënieve për fqinjësi të mirë, kjo bëhet me pranim të marrëveshjes në tërësi dhe zbatim të saj në tërësi”, tha Kurti ndër të tjera në mbledhjen e Qeverisë. /Reporteri.net/