×
  • Lajme
  • Lajme / Deklarata e tij

    Kurti: S’ka paqe të vërtetë derisa 1 për qind e të pasurve zotëron gjysmën e pasurisë globale

    Reporteri
    01 Korrik 2024 | 7:05

    Kryeministri Albin Kurti në simpoziumin ndërkombëtar SYMI të mbajtur në Greqi ka thënë se ndryshimet klimatike, pabarazia shoqërore dhe kërcënimet e sigurisë janë tre sfidat globale të kohës sonë.

    Ai ka thënë se në përballje me to, duhet konkretizuar idetë e mëdha të lirisë, barazisë, demokracisë dhe drejtësisë dhe të shënohen fitore në zgjedhje demokratike në mënyrë që të ketë qeverisje demokratike.

    Kryeministri tutje ka thënë se për sa kohë që 1 përqindëshi më i pasur zotëron gjysmën e pasurisë globale, nuk do të ketë paqe të vërtetë midis shoqërive dhe njerëzve as me natyrën e planetit tonë.

    “Sepse demokratët ndihen të kërcënuar nga lufta, por edhe autokratët ndihen të kërcënuar nga paqja. E paqja që na duhet është një paqe demokratike dhe demokracia që na duhet është socialdemokracia. Vitin e kaluar, Oxfam vuri në dukje se 1 përqindëshi më i pasur i njerëzimit zotëron 45.6 përqind të pasurisë globale dhe 59 përqind të të gjitha aseteve financiare globale. Gjithashtu vuri në dukje se gjatë 10 vjetëve të fundit, 1 përqindëshi më i pasur i njerëzimit ka kapur më shumë se gjysmën e pasurisë së re globale dhe se brenda një dekade, bota do të ketë trilionerin e saj të parë. Për sa kohë që 1 përqindëshi më i pasur zotëron gjysmën e pasurisë globale, kam drojë se nuk do të ketë paqe të vërtetë midis shoqërive dhe njerëzve as me natyrën e planetit tonë.”, ka pohuar Kurti, shkruan Reporteri.net.

    Fjala e plotë:

    Të nderuar mysafirë të dalluar, pjesëmarrës të SYMI,

    Zonja dhe Zotërinj,

    Është kënaqësi të rikthehem në SYMI, me një temë kaq të qëlluar dhe të thellë.

    Siç e dimë, Prometeu simbolizon kërkimin e pandërprerë për dije, përndritje dhe sfidim të tiranisë. Prometeu është më së shumti i famshëm për vjedhjen e zjarrit nga perënditë në Malin Olimp dhe dhënien e tij njerëzve. Ky veprim bëri që Zeusi, mbreti i perëndive, ta ndëshkonte Prometeun duke e lidhur atë në një shkëmb ku një shqiponjë do t’ia hante mëlçinë çdo ditë. Duke qenë se Prometeu ishte i pavdekshëm, mëlçia e tij do të rigjenerohej çdo natë, duke e bërë dënimin e tij të përjetshëm. Ky ishte një veprim pa interes personal dhe një akt heroik i sakrificës së madhe për përfitimin e njerëzimit.

    Andaj, është kënaqësi të kalojmë disa ditë këtu në Ishullin Samos, duke menduar dhe diskutuar së bashku, se cili duhet të jetë zjarri që ne sot duhet të vjedhim për t’ia shpërndarë njerëzve për t’i fuqizuar ata, cili është mëlçia e shekullit XXI që rigjenerohet përjetësisht dhe cilat janë ato zinxhirë që duhet të thyhen.

    Të dashur miq,

    Ne përballemi me sfida globale të një shkalle të paparë, besoj në tre fronte kryesore: ndryshimet klimatike, pabarazinë shoqërore dhe kërcënimet e sigurisë. Le të përqendrohem sonte pak vetëm në pabarazinë shoqërore. Vitin e kaluar, Oxfam vuri në dukje se 1 përqindëshi më i pasur i njerëzimit zotëron 45.6 përqind të pasurisë globale dhe 59 përqind të të gjitha aseteve financiare globale. Gjithashtu vuri në dukje se gjatë 10 vjetëve të fundit, 1 përqindëshi më i pasur i njerëzimit ka kapur më shumë se gjysmën e pasurisë së re globale dhe se brenda një dekade, bota do të ketë trilionerin e saj të parë. Për sa kohë që 1 përqindëshi më i pasur zotëron gjysmën e pasurisë globale, kam drojë se nuk do të ketë paqe të vërtetë midis shoqërive dhe njerëzve as me natyrën e planetit tonë.

    Leszek Kolakowski na ka paralajmëruar se mohimi i majtistëve duhet të vendoset në nivelin e mendimit praktik, jo vetëm në atë të protestës morale. Ne duhet t’ia rikthejmë kuptimin aktual dhe konkret ideve të mëdha të lirisë dhe barazisë, demokracisë dhe drejtësisë, dhe t’i kthejmë ato në programe me projekte dhe aktivitete për të konkurruar me to dhe luftuar për to. Ne duhet të fitojmë zgjedhjet demokratike për të arritur qeverisje demokratike, në mënyrë që të fitojmë përsëri në mënyrë demokratike dhe të vazhdojmë të qeverisim njësoj. Sipas mendimit tim, kjo nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme se tani, që nga fundi i Luftërave Botërore, 80 vjet më parë.

    Me pabarazinë që rritet gjithnjë e më shumë, rriten edhe shanset për diktatura dhe fashizëm. Progresistët dhe socialistët, sindikatat e punës dhe lëvizjet e grave, socialdemokratët, e kuptojnë dhe e dinë këtë më së miri; andaj, ata duhet të marrin të gjithë mbështetjen në zgjedhjet demokratike dhe në luftërat e tjera të kohës sonë. Sigurisht, duke filluar nga sot në Francë dhe të enjten e ardhshme në Mbretërinë e Bashkuar.

    Le të rrisim solidaritetin tonë për t’u organizuar më mirë, për të fituar më shumë dhe për të qeverisur më gjatë, pa harruar kurrë se, ashtu si ne demokratët ndihemi të kërcënuar nga lufta, autokratët ndihen të kërcënuar nga paqja. Paqja që na nevojitet është një paqe demokratike dhe demokracia që na duhet është socialdemokracia.
    Ju falemnderit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!