×
  • Lajme
  • Lajme / Në ora 16:00
    INSTANT

    Kurti sot pret në takim të përbashkët krerët e partive politike

    Reporteri
    28 Qershor 2025 | 8:03

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Vetëvendosjes, partisë që ka dalë e para në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe që ka fituar 48 ulëse në Kuvend, ka ftuar në takim krerët e partive të përfaqësuara në Kuvend, për të shtunën pasdite. Takimi i thirrur nga Kurti do të mbahet nga ora 16:00. Përfaqësuesit e partive politike kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim.

    “Si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe në emër të grupit më të madh parlamentar të dalur nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, sot u jam drejtuar të gjithë krerëve të subjekteve të përfaqësuara në legjislaturën e nëntë, me ftesë për takim të përbashkët të shtunën (sot) në orën 16:00, në përpjekje të radhës në funksion të konsensusit për konstituim të Kuvendit”, shkroi dje Kurti.

    Për këtë takim e kanë konfirmuar pjesëmarrjen partitë shqiptare në Kuvend, PDK, LDK, AAK e Nisma.

    Nga PDK do të shkojë kreu i partisë, Memli Krasniqi.

    Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në deklarimin për media që pati dje pas seancës.

    “Kryetari jonë, z. Krasniqi e përfaqëson partinë në takim dhe qëndrimet që dalin pas atij takimi i shpreh kryetari”, tha Gruda, duke shtuar se i thirrur nga kryetari i Vetëvendosjes nuk është kompromis politik.

    Ndërkaq, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, konfirmoi pjesëmarrjen e partisë së saj, por nuk tregoi nëse do të jetë kryetari Lumir Abdixhiku apo ndonjë tjetër nga partia.

    Konfirmimin ajo e bëri krahas një ankese për Kurtin, i cili dje e injoroi takimin e thirrur nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ku ishin liderët e tjerë të partive.

    Nga AAK s’do të shkojë kryetari Ramush Haradinaj, por deputetja Time Kadrijaj, siç ka konfirmuar dje zëdhënësi i partisë, Kushtrim Xhemaili.

    Sidoqoftë, Haradinaj këtë ftesë të Kurtit e quajti “të palogjikshme” të ndodhte për sot meqë është dashur të ndodhte dje para seancës, e cila ishte e para pasi Gjykata Kushtetuese dha fjalën e saj.

    Po ashtu, kreu i Nismës, Fatmir Limaj, do të shkojë vetë në takim, të cilin e pa si pjesë të ‘vizionit’ të tij.

    Ai para gazetarëve e konfirmoi pjesëmarrjen e tij në këtë takim.

    “Sigurisht që po, është në vazhdën e vizionit tim”, u shpreh tutje Limaj.

    KDI: Kushtetuesja foli dje, Kuvendi duhet të konstituohet përmes një marrëveshjeje politike

    Reporteri
    27 Qershor 2025 | 16:13

    Organizata të shoqërisë civile kanë protestuar sërish para Kuvendit kundër bllokadës së krijuar tash e dy muaj, si pasojë e moskonsituimit të Kuvendit.

    Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë se Kuvendi duhet të konstitutuohet përmes një marrëveshje politike, shkruan Reporteri.net.

    “Partia fituese ka të drejtën për të propozuar kandidatin për Kryetar të Kuvendit, por kjo e drejtë është njëkohësisht edhe detyrim për të bashkëpunuar me grupet e tjera parlamentare në mënyrë konstruktive, për të siguruar shumicën e nevojshme. Kjo e drejtë në asnjë rrethanë nuk mund të përdoret si instrument për të mbajtur Kuvendin të bllokuar”, thuhet në reagim.

    KDI ka thënë se Gjykata Kushtetuese, me Aktgjykimin që publikoi dje, e bëri të qartë se votimi për zgjedhjen e Kryetares së Kuvendit duhet të jetë i hapur.

    “Gjykata po ashtu e bëri të qartë se votimi duhet të jetë i hapur, ashtu siç ka qenë gjithmonë në seancat konstituive të mëparshme. Rendi i ditës i përcaktuar në Rregullore duhet të respektohet me përpikmëri nga Kryesuesi i seancës, ndërsa Kuvendi ka obligim të përmbyllë procesin e konstituimit brenda afatit 30-ditor”.

    Sipas kësaj organizate, çdo ditë pa institucione funksionale është dëm për ekonominë, demokracinë dhe besimin qytetar.

    “Prandaj, koha për përgjegjësi është tani. E konsensusi politik nuk është më çështje vullneti, por domosdoshmëri për të dalë nga kjo krizë”, thuhet në reagim.

    Ndryshe, partitë janë pajtuar për ndërprerjen e seancës së sotme, në mënyrë që ajo të vazhdojë pas takimit të ftuar nga kryeministri në detyrë, njëherit kreu i VV’së, Albin Kurti, me liderët e partive tjera./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!