×
  • Lajme
  • Lajme / Vizita e emisarit amerikan

    Kurti sot takon Escobarin, a do të lëshojë pe për dinarin?

    Reporteri
    14 Mars 2024 | 10:31

    I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar sot pritet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përcjell Reporteri.net. 

    Në njoftimin për media mëngjesin e sotëm nga Qeveria, bëhet e ditur se takimi do të zhvillohet në orën 15:30.

    Emisari amerikan, Gabriel Escobar, po zhvillon një vizitë dyditore në Kosovë. Ai duke nisur nga orët e mëngjesit të së mërkurës pati takime me eksponentë në Prishtinë. Fillimisht u takua me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, më pas, edhe me liderët opozitarë, Memli Krasniqin nga Partia Demokratike, Lumir Abdixhikun nga Lidhja Demokratike dhe Ramush Haradinajn nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, shkruan Reporteri.net.

    I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në prag të mbërritjes, tha se në fokus të vizitës do të ketë “një zgjidhje të mundshme për vendimin e pakoordinuar për të ndaluar dinarin serb”.

    Zbardhet ora e takimit të kryeministrit Kurti me emisarin amerikan, Gabriel Escobar

    Më 1 shkurt, Banka Qendrore e Kosovës fuqizoi një rregullore, e cila e përcaktoi euron si valutë të vetme për pagesa me para të gatshme në Kosovë.

    Rregullorja, rrjedhimisht, ndaloi përdorimin e dinarit, valutë në të cilën komuniteti serb në Kosovë pranon pagesa të ndryshme nga Serbia – nisur nga pagat e pensionet e deri te shtesat për fëmijë.

    Rregullorja shkaktoi zemërim në mesin e serbëve, por edhe te bashkësia ndërkombëtare.

    Kjo e fundit kërkoi pezullimin e saj, derisa qytetarët e prekur të përshtaten me praktikën e re.

    Autoritetet në Kosovë, deri më tash, nuk treguan shenja të zmbrapsjes. BQK-ja tha vetëm se do të ketë një periudhë tranzicioni për zbatimin e saj, por jo më gjatë se tre muaj.

    Kosova nuk ka një ligj të veçantë që e përcakton përdorimin e monedhës kombëtare, por ka një rregullore që e mundëson përdorimin e euros.

    Kushtetuta e Kosovës parasheh që si mjet pagese të përdoret një monedhë e vetme, por nuk specifikon se cila.

    Emisari amerikan takoi të mërkurën presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ndërsa pritet që me shefin e ekzekutivit kosovar, Kurti, të takohet më 14 mars.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!