×
  • Lajme
  • Lajme / Ngërçi në Kuvend

    Kurti: Ta provojmë votimin e fshehtë, o fiton Albulena, o ne sjellim një emër tjetër

    Reporteri
    30 Qershor 2025 | 12:54

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se është i gatshëm për dialog dhe bashkëpunim me partitë opozitare, në përpjekje për të zgjidhur bllokadën në Kuvend.

    Gjatë një deklarate për media, Kurti tha se ka ofruar dy kompromise për të ecur përpara: “I pari është që partitë politike t’i delegojnë përfaqësuesit në komision, dhe nëse nuk e duan votimin e fshehtë, ta rrëzojmë atë komision me votë, sepse pa votë nuk rrëzohet – me bojkot nuk shkohet përpara,” theksoi ai.

    Ai shtoi se, nëse votohet fshehtas, rezultati do të jetë i qartë: “O fiton Albulena, o ne e sjellim një emër tjetër.”

    “Unë gjithmonë jam i gatshëm për takime, për konsultime konstruktive, për bashkëpunim në mirëbesim dhe gjithashtu për konsensus dhe kompromise. Kam ofruar dy kompromise: i pari është ai që t’i delegojnë përfaqësuesit partitë politike dhe me atë rast nëse nuk e duan votimin e fshehtë, ta rrëzojmë atë komision me votë, sepse pa votë nuk rrëzohet, me bojkot nuk shkohet përpara… Le ta provojmë votimin e fshehtë: o fiton Albulena, o ne e sjellim një emër tjetër”, tha Kurti.

    Kurti deklaroi se nuk po e kupton kundërshtimin e partive tjera ndaj votimit të fshehtë, duke e krahasuar me procesin zgjedhor të 9 shkurtit:

    “Nuk e kuptoj pse gjithë kjo rezistencë e partive opozitare kundër votimit të fshehtë, kur dihet që më 9 shkurt qytetarët e Kosovës kanë votuar me votë të fshehtë, të lirë e demokratike dhe e kanë bërë VV-në fituese. Ne i kemi 48 deputetë, PDK 24, LDK 20 – pra PDK plus LDK nuk bëjnë sa VV-ja. Ky është fakt i jetës, fakt demokratik me të cilin duhet të pajtohemi”, tha ai para gazetarëve.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!