×
  • Lajme
  • Lajme

    Kurti takohet me Kurtzin, zotohen për bashkëpunim ekonomik

    Reporteri
    18 Qershor 2021 | 20:24

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas Samitit të Vjenës për Ballkanin Perëndimor ka mbajtur një takim me kancelarin austriak, Sebastian Kurtz.


    Kurti, përmes një postimi në llogarinë e tij në ‘Facebook’, ka thënë se me të diskutuan për zgjerim të bashkëpunimit ekonomik, derisa bëri me dije se në fillim të vitit të ardhshëm do mbahet një samit i përbashkët biznesi mes Kosovës e Austrisë.

    “Në veçanti shqyrtuam mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtar, nevojën e Kosovës për investitorë nga Austria, si dhe rolin që mund të luajë mërgata jonë në shtimin e urave midis dy shteteve dhe popujve tanë. Në fillim të vitit të ardhshëm do të kemi një samit të përbashkët biznesi Kosovë-Austri”, thuhet ndër të tjera në postimin e kryeministrit.

    Kryeministri Kurti, po ashtu, në Samitin e Ballkanit Perëndimor që u mbajt në Vjenë ka kërkuar që Kosova e Serbia të zotohen se nuk e sulmojnë njëra-tjetrën, kërkesë që ia ka bërë të martën presidentit Vuçiq në Bruksel.

    Postimi i plotë i kryeministrit:

    Pas Samitit të Vjenës për Ballkanin Perëndimor, më priti në takim Kancelari i Austrisë, z. Sebastian Kurz, në zyrën e tij. Fillimisht e falenderova Kancelarin Kurz për përkrahjen dhe ndihmën e vazhdueshme të Austrisë për vendin tonë, qysh prej pranimit të studentëve dhe diplomave në vitet e ‘90-ta deri te mbështetja në menaxhimin e pandemisë Covid-19.

    Biseduam për marrëdhëniet shumë të mira bilaterale ndërmjet dy republikave tona, raportet në rajon dhe integrimet evropiane. Në veçanti shqyrtuam mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimit tregtar, nevojën e Kosovës për investitorë nga Austria, si dhe rolin që mund të luajë mërgata jonë në shtimin e urave midis dy shteteve dhe popujve tanë. Në fillim të vitit të ardhshëm do të kemi një samit të përbashkët biznesi Kosovë-Austri.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!