Kurti takohet me Ulrika Richardson, bisedojnë për formimin e institucioneve të reja

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se bashkë me anëtaren e Kryesisë së Lëvizjes, Arbërie Nagavci ka pritur sot në takim Koordinatoren për Zhvillim nga zyra e OKB-së në Prishtinë, Ulrika Richardson dhe Udhëheqësin e Zyrës së saj, Lorik Pustina.


Në takimin e sotshëm, Albin Kurti dhe Ulrika Richardson kanë biseduar për formimin e intitucioneve të reja.

Postimi i plotë:

Znj. Richardson e uroi Kryetarin Kurti për mbarëvajtjen dhe rezultatin e procesit zgjedhor dhe shprehu dëshirën që sa më parë të formohen institucionet e reja në mënyrë që t’i hapet rrugë bashkëpunimit dhe projekteve të përbashkëta zhvillimore. Ajo e njoftoi Kryetarin Kurti se prioritet i UNKT-së është partneriteti me Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës, bashkëpunimi për programet e shtyrjes së Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG) në Kosovë, si dhe mbështetja e projekteve zhvillimore të qeverisë së re në të ardhmen

Kryetari Kurti e falënderoi znj. Richardson për urimin dhe vizitën, duke shprehur bindjen se shumë shpejtë do të formohen institucionet e reja dhe do të vendosen marrëdhëniet e bashkëpunimit. Z. Kurti e njoftoi znj. Richardson me prioritetet e qeverisë së re, për një shtetndërtim demokratik me sundim të ligjit ku luftohet korrupsioni i lartë institucional dhe ku çështje primare është si krijimi i vendeve të reja të punës ashtu edhe zbutja e pabarazive shoqërore përmes politikave sociale. Rëndësi e veçantë, theksoi ai, do t’i kushtohet barazisë gjinore nëpërmjet edukimit, punësimit dhe ofrimit të mundësive të barabarta për gratë.

Në fund të takimit, palët u dakorduan ta vazhdojnë komunikimin dhe bashkëpunimin në të ardhmen.